Draftrezolutë për bashkimin e Luginës me Kosovën

Draftrezolutë për bashkimin e Luginës me Kosovën

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Pas këtij takimi  në një konferencë për media Thaçi ka shprehur bindjen e tij se këto komuna të banuara me shqiptarë duhet t’i bashkohen Kosovës.

“Mund të them se sot zhvilluam edhe një takim tepër të mirë, shumë produktiv dhe jashtëzakonisht domethënës me substancë të angazhimeve për të ardhmen në mes Kosovës dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Është gjithçka e qartë madje edhe vullneti i shprehur i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ky vullnet është institucionalizuar përmes përfaqësuesve të komunave, shoqatave e lëvizjeve qytetare tek institucionet e Kosovës për bashkëngjitje me Kosovë.Dihet botërisht që këtë të drejtë presidenti i Kosovës e ka mbështetur plotësisht, edhe dje e kam mbështetur fuqishëm, sot e mbështes dhe punoj edhe më fuqishëm.Do të jem edhe më i vendosur nesër e tutje që kjo e drejtë të realizohet.”, ka thënë Thaçi, shkruan Indeksonline.

Thaçi ka shtuar se do të bëjë përpjekje maksimale që sipas tij kjo padrejtësi historike të korrigjohet.

“Do të bëjmë përpjekje maksimale që një proces paqësor i dialogut për marrëveshjen e Kosovës dhe Serbisë të mbyllet një herë e përgjithmonë dhe kjo padrejtësi historike të korrigjohet. Gjithashtu diskutuam edhe për hapat tanë të mëtutjeshëm. Besoj fuqishëm se të gjithë në Kosovë, pa dallime politike, shoqëria civile, mediat dhe gjithë qytetarët do ta mbështesin bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanoci. Është momenti që të gjithë të ngriten mbi interesat e ngushta pasi aktualisht kjo është një kauzë e përbashkët dhe mund ta realizojmë bashkërisht. Edhe përfaqësuesit e Preshevës dhe komunave tjera të jenë pjesë e participimit në dialogun Kosovë-Serbi dhe të jenë vendimmarrës. Dhe këtë besoj se do ta përkrahë, Qeveria, Parlamenti dhe të gjithë në Kosovë .Do të jemi afër qytetarëve në këtë komuna me mundësitë tona dhe në kuadër të kësaj mirëpres idenë e tyre që të shohim përmes fondeve të ndryshme dhe nevojave të tjera që institucionet të jenë më afër dhe më aktive”, ka shtuar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë poashtu se është prezantuar ideja e nxjerrjes së një rezolute e cila do t’u përcillet kryeparlamentarit, kryeministrit dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare për bashkim të Luginës së Preshevës, Bujuanocit dhe Medvegjës.

“Për të kontribuar realizimit sa më të shpejtë të drejtave të qytetarëve dhe për t’u bashkëngjitur me Kosovën në kuadër të kësaj me përfaqësuesit e komunave është prezantuar ideja e nxjerrjes së një rezolute e  cila do të dërgohet tek kryeparlamentari dhe kryeministri, një draftrezolutë që do të  bëhet publike që Kuvendi në të ardhme të tregojë mbështetjen unike për bashkimin e Preshevës me Kosovën”, ka përfunduar Thaçi.

EMISIONET