Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore shqyrtoi mbledhjen e sot draftin me amendime të paraqitur nga ekspertët.

Bashkëkryetarja e Komisionit, Rudina Hajdari, tha se debati më i madh është për amendimet lidhur me administratën zgjedhore ku do të kërkohet edhe ndryshimi i ligjit për nëpunësin civil.

Rudina Hajdari: Është një pikënisje e duhur por nuk kemi arritur një konsensus lidhur me amendimet që janë bërë për administratën zgjedhore. Pofesioni i komisionerëve në të gjitha nivelet është tejet i rëndësishëm sepse nuk do të jetë thjesht një përzgjedhje e nëpunësve civilë gjë që kërkon që paralelisht statusi për nëpunësin civil të ndryshohet sepse në të kundërt kjo skemë që kanë prezantuar ekspertët nuk mund të funksionojë. Kemi akoma shumë punë për të bërë siç është ndryshimi i ligjit për nëpunësin civil.

Një pikë tjetër është përgjegjshmëria që këta individë do të kenë në momentin që do të zgjidhen si anëtarë të KQZ. Një risi tjetër është KAS. Kërkohet që të kenë përgjegjshmëri shumë të lartë. Njerëz jashtë strukturës së shërbimit civil mund të aplikojnë.Kyçi është që do të kalojnë në Kuvend me 2/3. Kjo ka për synim të jetë një formulë për 30 vitet e ardhshme.

Hajdari tha se drafti i parë kishte mangësi në mënyrën si ishin implementuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Ajo kërkoi reformim terësor të mënyrës sesi administrohen zgjedhjet.

Dhe nëse i gjithë ky proces do të kurorëzohet me ndryshimin e sistemit, kauzë për të cilën Hajdari tha se do të luftojnë,  atëherë shqiptarët do të mund të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Hajdari lajmëroi se do të ketë një seancë të dytë për këtë draft.

Ndërkohë në mbledhjen e sotme, Aleanca e Grave Deputete ka kërkuar më shumë përfaqësim në Kuvend.


/Ora News.tv/