Presidenti i Republikës publikoi dje raportin shpjegues për Komisionin e Venecias, një kopje të të cilit delegacioni i këtij të fundit e ka marrë gjatë vizitës së fundit në Tiranë.

Kreu i Shtetit liston argumentet shteruese që e detyruan atë të anulonte dekretin për 30 qershorin. Në faqen 10 të raportit 55 faqesh shkruhet: Siç pat evidentuar edhe raporti OSBE/ ODIHR në raportin e fundit për zgjedhjet e përgjithshme 2017, gjatë procesit zgjedhor ishin vërejtur me shqetësim fenomeni i shit-blerjes së votës, presionit ndaj votuesve si dhe abuzimi i burimeve shtetërore për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.  

Tashmë provat për disa nga pretendimet e opozitës, të pasqyruara edhe në raportin e OSBE/ ODIHR gjendeshin në dy dosje të administruara nga Prokuroria me numrat 184 dhe 339. Nga materialet e publikuara, të rrjedhur në mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, dilte në pah një skemë e mirëorganizuar që lidhte zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste përfshirë Ministra të kabinetit qeveritar, kryetar bashkish, oficerë të lartë të Policisë së Shtetit dhe nëpunës të tjerë të lartë civilë bashkëpunonin me banda famëkeqe kriminale (përfshirë në trafik ndërkombëtar droge) për manipulimin e rezultatit zgjedhor në favor të Partisë Socialiste.

Këto të dhëna edhe pse në dispozicion të Prokurorisë prej më shumë se dy vitesh nuk i kishin vënë në lëvizje organet hetimore për të kryer veprime të mëtejshme ligjore. Asnjë prej autorëve të përfshirë eksponentë të lartë të maxhorancës socialiste nuk u dërguan përpara përgjegjësisë penale. Personat e përfshirë në këtë skemë kriminale gëzonin si imunitet politik ashtu dhe pandëshkueshmëri, ligjore.

Publikimi i këtyre skandaleve përforcoi pretendimet e opozitës dhe denoncimet e hershme të saj për bashkëpunim mes mazhorancës socialiste me krimin e organizuar për të siguruar marrjen e pushtetit përmes manipulimit të votës." 

Kreu i Shtetit liston argumentet shteruese që e detyruan atë të anulonte dekretin për 30 qershorin.

/Ora News.tv/