Donin të hapnin kullota, i vënë zjarrin malit të Shëngjinit, 2 të arrestuar

Zjarri në malin e Shëngjinit, që vuri në rrezik banesa e biznese ka qenë i qëllimshem. Në këtë konkluzion ka dalë Policia e Lezhës e cila ka arrestuar në flagrancë dy persona për zjarrvënie të qëllimshme në malin e Shëngjinit.

Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale M.I. 34 vjeç, banues në Ishull Shëngjin  dhe A.U. 24 vjeç, banues në Shëngjin.

Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri - tjetrin, rreth orës 21:45 datë 22 gusht, në Malin e Shëngjinit tek " Lugu i Lemes",  dyshohet që i kanë vënë zjarrin malit me qëllim hapjen e kullotave për bagëtitë dhe prerjen e lëndëve drusore për shitje, zjarr i cili ka marrë përmasa duke djegur disa hektarë bimësi e pisha si dhe rrezikuar banesa e jetë njerëzish .thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale hetimore në ngarkim të shtetasve të arrestuar, u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për Veprat penale " Shkatërrim prone me zjarr" kryer në bashkëpunim' parashikuar nga neni 151 - 25 i Kodit Penal.

Gjithashtu, u referuan materialet  hetimore për proçedim penalisht edhe ndaj shtetasit K.M. banues në Tresh - Lezhë, sepse dyshohet që i ka vënë zjarrin një sipërfaqe toke rreth 500 m2 ku nga zjarri është djegur edhe  rrethimi me shkurre i stanit të bagëtive të tij.

Ndërkohë pas disa oresh luftë me flaket vatrat e zjarrit në malin e Shëngjinit janë vënë nën kontroll, por jo shuar plotësisht.Reshjet e shiut të një natë më parë kanë ndikuar pozitivisht në shuarjen e flakeve.

Aktualisht në terren ndodhen forcat e ushtrisë të cilët po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit i cili gjatë ditës së premte mori përmësa të mëdha duke rrezikuar banesa e biznese.


EMISIONET