Do të hetohen në liri dy të rinjtë e arrestuar për djegien e makinave të shtunën e 12 majit në Bunavi të Vlorës.

Prokuroria kishte kërkuar masën e sigurisë 'detyrim me paraqitje për  32-vjeçarin Klemend Dautaj dhe 25-vjeçari Arsen Alimuçaj dhe gjykata e Vlorës pranoi kërkesën e prokurorisë. Seanca u zhvillua paraditen e sotme. 

Vetë të rinjtë nuk kanë pranuar të thonë asnjë fjalë ndërsa të shtunën u hodhën dyshimet se dy makinat e djegura të shtunën në Bunavi të Vlorës mund të jenë përdorur për narko trafik.

Hetimet e policisë kanë provokuar se në fakt dy të rinjtë dogjën makinat e prindërve.

Furgoni rezultoi në pronësi të të atit të 32 vjecarit Dautaj dhe mjeti Volksëagen me targa të ndryshuara në pronësi të nënës së 25 vjeçarit Alimuçaj.

Mjetet u gjeten rreth 100 metra nga njëra tjera ndërsa për tu vënë zjarrin ishte përdorur një sasi e madhe benzine, ndërsa djegie dyshohet se është bërë për të zhdukur provat.

Gjithashtu, nga burime zyrtare mësohet se do të hetohet në gjendje të lirë 55-vjeçari, N.A., pasi ka dhënë deklaratë të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore.

Këta persona do të përballen me akuzat e "Shkatërrimit të pronës me zjarr”, "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe ”Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.

 



/Ora News.tv/