Djali i deputetit ruhet në qelitë e Durrësit, akuzohet vetëm për përndjekje

Djali i deputetit ruhet në qelitë e Durrësit, akuzohet vetëm

Djali i deputetit socialist Rrahman Rraja do të qëndrojë në qelitë e paraburgimit në Durrës deri në momentin e daljes në gjykatën e Krujës për rivlerësimin e masës së sigurisë.

Rexhep Rraja u arrestua paraditen e së dielës 30 shtator, teksa ndodhej në një biznes që jepte makina me qera pranë Rinasit.

Por ajo që të bën përshtypje është fakti se ndaj djalit është ngritur vetëm akuza e "përndjekjes". Ndërkohë ekspertiza mjekoligjore vërtetonte se ndaj 25 vjeçares Xhisiela Maloku ishte ushtruar dhunë, duke i djegur cigare në trup si dhe duke e goditur me qytën e pistoletës.

Mjekësia ligjore dorëzoi më 27 shtator në Prokurorinë e Krujës aktin e ekspertimit të Xhisiela Malokut duke vlerësuar se ajo ka dëmtime fizike të cilat klasifikohen si rrahje dhe për të cilat ligjërisht, jepet raport deri në 9 ditë.

Pergjimi ambiental

Po kështu shkak për arestimin u bë një përgjim ambiental i djalit të deputetit gjatë ballafaqimit me Xhisiela malokun gjatë ditëve të fundit. Burimet nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se në përgjimin ambiental, Rexhep Rraja fliste për dhunën me Xhisiela Malokun duke implikuar vetëveten.

Në momentin e arrestimit i riu nuk ka bërë rezistencë ndaj policisë e cila kishte në dorë për ekzekutimin vendimin e Gjykatës së Krujës për të arrestuar dhe dërguar në burg djalin e deputetit socialist.

Brenda 72 oresh 24 vjeçari do të dalë në gjykatë për rivlerësimin e masës së sigurisë. 

Dëmtimi me cigare përputhet me dëshminë e vajzës

Prokuroria e Krujës tha se dëmtimi me cigare i evidentuar nga mjekësia ligjore, përputhet me përshkrimin e dhënë nga 25-vjeçarja për aktet e dhunës të ushtruara ndaj saj në një hotel në Rinas nga djali i deputetit.

Kjo dosje është hapur pas kallëzimit të bërë nga Xhisiela Maloku në datën 26 korrik 2018 në komisariatin e policisë nr.3 në Tiranë, pasi vajza ka pretenduar se është dërguar me forcë në hotel dhe është dhunuar nga Rexhep Rraja, me të cilin kishte një lidhje disa vjeçare. Vajza është marrë në pyetje 5 herë duke mos dhënë të njëjtat shpjegime. 

Disa ditë më parë ky rast është denoncuar në media nga oficeri i policisë Emiljano Nuhu, i cili aktualisht ndodhet jashtë vendit. Oficeri ka deklaruar se ishte kërcënuar në komisariatin e Policisë së Krujës për të mos hetuar djalin e deputetit, ndërsa atje kishte shkuar edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

EMISIONET