Disk me muzikë nga kompozitorët më të mirë shqiptarë në tregun botëror

Disk me muzikë nga kompozitorët më të mirë

Një disk me muzikë klasike nga kompozitorët më të mirë shqiptarë ka pasuruar tregun e diskografisë botërore.

Për herë të parë tingujt e Feim Ibrahimit, Kozma Larës, Çesk Zadeja, Limos Dizdarit, Tonin Harapit, Simon Gjonit etj., vijnë në tregun botëror të muzikës nën interpretimin e një pianiste shqiptare.

Nisma është marrë nga pianistja Marsida Koni, e cila prej 15 vitesh jeton në Itali. Nën etikën e shtëpisë së njohur diskografike holandeze Briliant Classics, ky disk është shpërndarë në 40 vende të botës.

Marsida Koni: "Është projekt i bukur që e kisha shumë përzemër. CD është prodhuar nga një shtëpi diskografike holandeze me një shpërndarje ne 40 vende të botës. Kompozitorët të cilët janë në këtë përmbledhje, janë ndër kompozitorët tanë më të mëdhenj, nga ata që hapën shkollën tonë të kompozicionit. Kemi kompozitorë si Çesk Zadeja, Feim Ibrahimit, Tonin Harapi, për të vazhduar me gjeneratën tjetër të kompozitorëve siç është Pëllumb Vorpsi."

Marsida Koni e lindur në qytetin e Elbasanit ka studiuar në Konservatorin e Tiranës e më pas ka qenë për pak kohë pedagoge në këtë Universitet.

EMISIONET