Dialogu Prishtinë-Beograd, Hoti: Qeveria e re nuk do jetë aq kokëfortë si ajo e Kurtit dhe Haradinajt
Në një intervistë për Ora News, pedagogu për marrëdhëniet ndërkombëtare Dritan Hoti, tha se qeveria e re e formuar në Kosovë nuk do jetë aq kokëfortë sa ajo e Kurtit dhe Haradinajt në lidhje me dialogun me Serbinë.
Dritan Hoti: ''Qeveria Hoti ndryshe nga qeveritë e mëparshme do jetë më elastike përkundrejt skemave dhe kërkesave që vijnë nga Shtetet e Bashkuara, përsa i përket një rifillimi të dialogut dhe mbi çfarë premisash do të rikonceptohet kjo rinisje e dialogut. Pra, nuk do jetë aq kokëfortë sa qeveria Kurti ose Haradinaj. Do të jetë disi më elastike përkundrejt asaj që quhet skema amerikane dhe interesi amerikan në zgjidhjen e një konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.''
''Ky është parashikimi im përsa i përket qeverisë Hoti e cila do ndeshet me dy sfida. Sfida madhore e përhershme është shëndoshja institucionale, lufta kundër korrupsionit, janë sindroma prej së cilës vuajnë të dy anët e kufirit të botës shqiptare. Sfida madhore e politikës së jashtme, do të jetë rigjinerimi në kushte normale të dialogut me Serbinë.''
Kryeministri i ri, Avdullah Hoti, mori formalisht udhëheqjen e qeverisë së Kosovës ditën e sotme.
Në mbledhjen e parë të kabinetit, Hoti bëri të njohura prioritetet e tij.
"Prioritetet tona janë, përveç luftës kundër kësaj pandemie dhe rimëkëmbjes ekonomike, forcimi i shtetit ligjor, fuqizimi i miqësive tona me partnerët tanë ndërkombëtar, marrje përsipër në baza kushtetuese të procesit të dialogut, adresimi i nevojave në arsim, në shëndetësi..." tha Hoti.