“Dhuratë zemre” për Shqipërinë, kompozitori italian hedh në partitura këngët tradicionale

“Dhuratë zemre” për Shqipërinë, kompozitori

Dy partitura të veçanta për muzikë në piano janë prezantuar për publikun shqiptar por edhe atë europian, nën firmën e pianistit dhe kompozitorit të njohur Italian, Paolo Marzocchi.

“Five Albanian Folksongs” for Piano dhe “Dhuratë Zemre”, fantazi mbi një temë origjinale nga Prekë Jakova, mund të luhen me orkestër dhe mrekullisht të të zhysin në magjinë e muzikës shkodrane, që i kanë rrëmbyer zemrën edhe artistit italian.

Njohja me muzikën tradicionale të qytetit të Shkodres ka ndodhur këtu e 15 vite më parë falë miqësisë që Marzocchi ka me violinistin shqiptar me famë ndërkombëtare Paçalin Pavaci.

Më vonë lidhjet forcohen edhe më shumë kur ai njihet me kryeveprat e Prenkë Jakovës nga dy nipat e tij dhe aty lind “Dhuratë zemre”.

Paolo Marzocchi: “Jam përpjekur të mos shkatërroj muzikën apo shijen origjinale të këtyre veprave, kam punuar me delikatese duke përdorur teknika të reja.”

Marzocchi ka vënë në skenat e botës pjesë të tijat, por edhe emra të njohur të muzikës botërore. Por nuk heziton ta listojë edhe muzikën shkodrane mes tyre dhe për ta konkretizuar na jep një shembull.

Paolo Marzocchi: “Ideja ime ishte kjo, që të njihej muzika shqiptare në Europë dhe botë. Albanian songs janë 5 këngë të traditës së fortë të muzikës shkodrane.”

Kanga e Gjyles, Pranevera filloi me ardhë, Dalin vajzat prej mejtepit, Vaj si kenka ba dyrnjaja, Moj e vogël si florini dhe Dhurate zemre, tashmë mund të flasin përmes notave muzikore në çdo skenë të botës, falë punës së artistit Italian Paolo Marzocchi.

EMISIONET