Dhunim i transgjinores Anxhela, Meta: Sulm burracak, autorët të dalin para drejtësisë

Presidenti Ilir Meta e ka quajtur sulm burracak dhunën e ushtruar ndaj transgjinores Anxhela përpara Parlamentit.

Meta tha se dhuna ndaj anëtares së komunitetit LGBT në Shqipëri është e dënueshme dhe se autorët duhet të dalin para drejtësisë.

“E dënueshme dhuna kundër një anëtareje të komunitetit LGBTI në Shqipëri. I bëj thirrje autoriteteve ligjzbatuese të marrin masat e duhura për zbardhjen e këtij sulmi burracak dhe nxjerrjen para drejtësisë së autorëve,”-shkroi Meta.

Lajmi u bë i ditur në një postim në Facebook nga Aleanca LGBT, ku thuhet se Anxhela ishte sulmuar nga një grup djemsh rreth të njëzetave dy ditë më parë.

Sipas njoftimit Anxhela ishte bërë shenjestër për shkak të pjesëmarrjes në paradën e fundit të LGBTI në Tiranë.

"Anxhela është sulmuar fizikisht në mes të rrugës nga një grup djemsh rreth të njëzetave. Pjesëtarja e komunitetit transgjinor është përndjekur dhe sulmuar, duke u targetuar për marrjen pjesë në paradën e fundit të lezbikeve në Tiranë. Në vijim të zbardhjes së ngjarjes, u bëjmë thirrje autoriteteve ligjzbatuese të identifikojnë sa më shpejtë autorët dhe t'i sjellin ata përpara drejtësisë. Pamjet e mëposhtme janë treguesi më i shëmtuar i realitetit me të cilin komuniteti LGBTI e kryesisht ai transgjinor përballen në Shqipëri. Ne nuk do të heshtim!"-shkroi Aleanca LGBT.



EMISIONET