Dhuna ndaj gjyqtarit, reagon kreu i KOKSH: Veprim i shëmtuar, dhunës t'i mbyllim derën

Dhuna e ushtruar ndaj gjyqtarit, Jurgen Muho nga basketbollisti i Tiranës, Bruno Daliu në ndeshjen mes Teutës dhe Tiranës shokoi mbarë opinionin sportiv në vend.

Një incident që nuk ishte parë kurrë më parë në parketin e baskebollit shqiptar, ku ka ngjallur edhe reagimin e instancave të shtetit. Ditën e sotme, basketbollit Daliu është shoqëruar në Komisariatin e Policisë. Ndërkohë, pas Federatës Shqiptare të Basketbollit, incidenti është dënuar edhe nga presidenti i KOKSH, Viron Bezhani.

Në një status në rrjetet sociale, Bezhani bën thirrje që këto skena të shëmtuara të mos përsëriten, pasi dhuna nuk ka vend në sportin dhe shoqërinë tonë.  

"Incidenti i rëndë që ndodhi ditën e shtunë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrës në ndeshjen e basketbollit Teuta-Tirana, ku një lojtar goditi gjyqtarin, është një ngjarje e shëmtuar për të gjithë sportin shqiptar, që për fat të keq bëri një hap pas. Vërtet një mëkat që një basketbollist të bëjë një gjest të tillë, përpara qindra shikuesve e kolegëve të tij, duke treguar edhe një herë anën e errët të sportit tonë.

"Edhe një herë tjetër bëhemi të shëmtuar para mijërave sportdashësve që kanë parë pamjet e rënda, një gjest që për cfarëdo lloj arsyeje nuk duhej të kishte ndodhur në fushën e lojës. Harrojmë që pjesë e sportit jemi të gjithë, drejtues, trajnerë, sportistë, tifozë e gjyqtarë dhe pa njëri-tjetrin, pa bashkëpunuar e dëgjuar njëri-tjetrin, nuk bëjmë dot asnjë hap përpara në zhvillimin e tij.

"Një veprim i shëmtuar që e uli “Fair Play”, për të cilin punojmë aq shumë cdo ditë, në nivelin zero. Sporti pranon fitoren e humbjen, ndonjëherë edhe mërzitemi kur na e hedhin më pa të drejtë, por kurrsesi dhuna nuk duhet të jetë pjesë e jetës tonë. Sidomos në sport, që edukon mijëra të rinj të përcjellin të shikuesit një frymë tjetër, atë të respektit për njëri-tjetrin, pasi sporti mbi të gjitha është edukim dhe argëtim.

"Mjaft më akte të tilla dhune, pasi kështu vetëm sa dëmtojmë veten tonë, sportin tonë, shoqërinë tonë, që mes shumë vështirësish mezi arrin të hedh një hap përpara. Ftoj të gjithë të respektojmë njëri-tjetrin, më shumë “Fair Play” e vlerësim për kundërshtarin që kemi përballë, që ashtu si ne punon dhe stërvitet për të fituar. Respekt edhe për atë që na stërvit cdo ditë, por edhe për atë që na gjykon, pasi të gjithë së bashku argëtojmë publikun.

"Dhuna nuk ka vend në sportin dhe shoqërinë tonë, nuk duhet të jetë pjesë e saj, ndaj t’i mbyllim derën dhe t’i themi NDAL," thuhet në reagimin e Bezhanit.

EMISIONET