Ekskluzive/ Ekspertët: Kepi i Rodonit monument natyre, porti i jahteve dëmton ekosistemin

Ekskluzive/ Ekspertët: Kepi i Rodonit monument natyre, porti i jahteve

Ekspertët mjedisorë kundërshtojnë koncesionin për ndërtimin e portit të Jahteve në Kepin  e Rodonit. Ata shprehen se duhet të kthehet në një zonë të mbrojtur detare pasi Shqipëria ka vetëm një të tillë. Abdulla Diku shprehet se procesi i ndërtimit do të dëmtojë ekosistemin në këtë zonë e cila mbart vlera natyrore dhe historike. Ndërkohë ish-drejtori i Agjencisë së Bregdetit kërkon që të realizohen studime të mirëfillta  për projekte të tilla.

Kepi i Rodonit duhet të kthehet në një zonë të mbrojtur detare.

Ambientalistët e shohin me shqetësim projektin e ministres Belinda Balluku për ndërtimin e një porti Jahtesh në këtë zonë.

Abdulla Diku thekson se Shqipëria duhet të plotësojë standardet për zonat detare të mbrojtura, ndërsa shton se kjo zonë është shpallur edhe Monument Natyre.

Abdulla Diku: Fare mirë mund të ishte një zonë e mbrojtur detare duke qenë se zona të tilla mjedisore në Shqipëri kemi vetëm një, Sazan-Karaburun. Zona ka ndjeshmëri të lartë mjedisore.

Sipas ambjentalistit, ndërtimi i një porti Jahtesh në Kepin e Rodonit do të dëmtonte ekosistemin sidomos gjatë fazës së ndërtimit.

Abdulla Diku: Do të shoqërohet me ndikime negative në mjedis. Ekosistemi më i ndjeshëm është ai bregdetar që do të preket drejtëpërdrejtë, janë sasi të mëdha betoni që do të vendosen në zonë, mjete që do të lëvizin.

Për ish-kreun e Agjensisë së Bregdetit portet e Jahteve në Shqipëri janë të rëndësishëm për turizmin, por më parë se të miratohen projektet është e nevojshme të kryhen studime të mirëfillta për të gjetur zonat e duhura.

Auron Tare: Shqipëria nuk ka traditë për këtë, është e rëndësishme marrja e ekspertizës më të mirë botërore për të bërë diçka që të konkurojë fqinjët tanë në nivelin e shërbimeve dhe të cilësisë së ngritjes së këtyre porteve.

Burime të RTV Ora kanë bërë të ditur se me propozim të kërkuar, parashikohet që Kepi i Rodonit të jepet me koncesion për 35 vite me qëllim ndërtimin e një porti të Jahteve.

Sipas propozimit, koncesioni për portin është projektuar të ndërtohet në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit, rreth 7 km larg Kepit të Rodonit.

EMISIONET