Mirditë – Punonjësit e HEC-it të Qafë Mollës në të cilën operon firma turke në Mirditë punojnë në kushte mesjetare në galeritë ku nuk ka as harqe dhe as masa të tjera sigurimi. Ky fakt dhe disa të tjerë kanë dalë në dritë pas tragjedisë së ndodhur dje në këtë HEC, ku pas shpërthimeve me eksploziv, tre punonjës - dy shqiptarë dhe një turk - kanë humbur jetën nga shembja e galerisë. Përveç faktit që ata janë të pasiguruar, gjenden edhe nën kërcënimin e pushimit nga puna në çdo moment shoqëruar kjo edhe me dhunën e grupit të gatshëm të policisë, që mbron vetëm interesat e investitorit të huaj. Faktet e paraqitura nga një punonjës i ka mbështetur sot edhe kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj. Eshtë dashur tagjedia që njeri prej punonjësve të HEC-it të hedhë dritë mbi errësirën e asaj që ndodh në galeritë 1600 m.  Denoncimin e ka bërë para kameras, një prej punonjësve të këtij HEC-i, vetëm pak minuta pasi ndodhi tragjedia e tre kolegëve të tij, në mjediset e HEC-it, denoncimin i shoqëruar me akuzën për përfaqësuesit e shtetit shqiptar që nuk kanë shkelur në këtë vend për të kontrolluar kushtet e punës, sigurinë, kontratat e punës. Faktet tronditëse të tij ilustrohen edhe me dy raste të tjera, të dy punonjësve të tjerë që fatmirësisht shpëtuan nga aksidenti në punë, por që një “aksident” tjetër edhe më i rëndë u ka ndodhur: shërbimi mjekësor për këmbët e vënë në hekura, nuk u paguhen sepse ata kanë qënë të pasiguruar. Ja dëshmia tronditëse që vjen nga Hidrocentrali i HEC-it të Qafë Mollës, menjëhërë pas tragjedisë: “Në orën 7 kam dorëzuar turnin. Kanë ardhur shokët e mi dhe kanë bërë plasjen e në fund është shkëputur një sasi mali nga sipër. Ata kanë qënë duke mbushur birat për të realizuar plasjen dhe kaën qënë dy minutat e fundit, për të lidhur kapsollën elektrike kur është shkëputur sasia e malit. Si rregull, ne duhet t’i kishim bërë me harqe, por me harqe kjo firmë , që nuk poi ze emrin se është firmë banale, nuk e kanë bërë punën që ishte për t’u bërë. Faji është krejt i inxhinjerit dhe atij përfaqësuesit të firmës. Të jesh nën 1600 m pa asnjë lloj harku, pa asnjë hekuri,kjo është çmenduri. Është çmenduri e shtetit tonë që nuk merr masa të kontrollojë çfarë firmash vijnë këtu. Nuk ka asnjë lloj sigurie. Asnjeri prej punëtorëve nuk është i siguruar. Asnjeri. Unë kam nëj vit e gjysëm këtu dhe nuk kam parë asnjë inxhinjer shqiptar apo përfaqësues të shtetit të vijë të kontrollojë se çfarë bëjnë firmat këtu. Të gjithë janë të rrezikuar. Kemi bërë protestë, por vjen grupi i gatshëm e të “merr me hu” mbrapa e të nxjerrin dhe përjashta. Ka pasur edhe herë të tjera incidente. Ka qënë një punëtor nga Gjegjani, por për fat të mirë shpëtoi. Ka qënë edhe një tjetër që ka 6 muaj me hekura në këmbë dhe raportin nuk ia kanë punuar. Firma turke i fsheh këto fakte, përderisa nuk vjen askush këtu të pyesë si punoni e ku punoni. Kam një vit e gjysëm këtu e nuk kam parë një shqiptar të vijë të pyesë se çfarë pune bëhet këtu.” armanda shtembari/Oranews.tv

/Ora News.tv/