Dëshmia e një diplomati amerikan ka rënduar pozitat e presidentit Donald Trump në hetimet që kanë nisur kundër tij për ofrimin e favoreve për përfitime politike.

Ambasadori i Washington në Ukrainë, William Taylor, informoi të martën dhomën e ulët të Kongresit se në muajin korrik, presidenti i kishte premtuar homologut ukrainas 400 milionë dollarë ndihma ushtarake.

Në këmbim rivali politik dhe ish-zëvendëspresidenti demokrat, Joe Biden, do duhej të investigohej për konflikt interesi dhe korrupsion për shkak të lidhjeve të djalit të tij me një kompani ukrainase ku ai paguhej 50 mijë dollarë për një punë që nuk ishte i specializuar.

Taylor tha se i dërguari amerikan në Bashkimin Europian e kishte informuar se fushata e presionit ndaj Kievit ishte po orkestrohej prej muajsh nga avokati personal i presidentit, Rudy Giuliani.

Demokratët thanë të martën se dëshmia e ish-oficerit të ushtrisë do ndihmojë në ngritjen e akuzave formale për shkarkimin e presidentit Trump vitin e ardhshëm.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se dëshmia ishte e bazuar në thashetheme përderisa personi nuk kishte qenë prezent në bisedat e bëra.

Vetë presidenti shkaktoi reagime me një status në Twitter, duke u shprehur se po linçohej publikisht.

Termi linçim në historinë amerikane kujton periudhën kur personat me ngjyrë vriteshin pa iu nënshtruar gjyqit, por Trump refuzoi të tërhiqet edhe pse i akuzuar nga kundërshtarët për racizëm.

/Ora News.tv/