Derbi dhe merkato, Lerda i thotë të gjitha para Bylisit

Derbi dhe merkato, Lerda i thotë të gjitha para Bylisit

Pas pauzës së ardhur pas goditjeve të tërmetit, Kategoria Superiore zbret në fushë këtë fundjavë, ku premton sfida spektakolare dhe gola.

Dueli më i rëndësishëm i kësaj jave luhet në "Adush Muça", ku vendos përballë Bylisin dhe kampionët në fuqi, Partizanin. E në prag të kësaj përballje delikate për të kuqtë, në konferencën për shtyp ka dalë trajneri, Franco Lerda.

Italiani i është përgjigjur interesit të gazetarëve në disa çështje të rëndësishme, si objektivi ndaj Bylisit, problemet në skuadër, merkato dhe takimi i radhës, derbi me Tiranën.

Do të përballeni me Bylisin, skuadër aspak e lehtë. A do tentoni rezultat pozitiv?

"Bylis është një skuadër që ka bërë mjaft mirë. Mendoj që është një nga surprizat e këtij sezoni. Më ka lënë përshtypje mjaft të mirë në takimin e parë që kemi luajtur në Tiranë. Nesër ata do të kenë një motivim ekstra duke ditur që vijnë pas dy rezultateve negative. Ne duhet të jemi mjaft të përqëndruar. Duhet të futemi në fushën e lojës me mjaft besim dhe të arrijmë të japim maksimumn gjithë si skuadër për të dalë me një rezultat pozitiv në takimin e nesërm".

Sulmi, problem apo ngërç psikologjik i skuadrës?

"Unë në përgjithësi flas për idetë e skuadrës, kur duhet të mbrohemi dhe kur duhet të sulmojmë. Mendoj që nuk kam folur në asnjë moment për sa i përket sulmuesve. Pas ndeshjeve flas në përgjithësi për skuadrën. Jam shumë i kënaqur për sulmuesit që kam në dispozicion, por mendoj që nuk mund të flas kur nuk arrijmë të shënojmë shumë gola. S’dua të fokusoj përgjigjen time te rastet që janë krijuar. Kur sulmojmë, sulmojmë komplet si skuadër dhe kur mbrohemi po e njëjta gjë".

A ju shqetëson fakti se pjesa dërrmuese e rezultateve janë minimale,1-0?

"Unë do të firmosja që të fitoja të gjitha ndeshjet 1-0 edhe në vazhdim".

A mund të bëjë Partizani më shumë në këtë ndeshje ndaj Bylisit se sa në takimin e parë?

"Ne jemi përgatitur për të bërë më mirë. Skuadra sa vjen e rritet në lojë. Kemi një grup të shëndoshë, tashmë edhe psikologjikisht ekipi është më i motivuar duke parë edhe rezultatet e fundit. Megjithatë nesër gjithçka do të vendoset në fushën e lojës. Një ndeshje ndryshon nga ajo paraardhëse secila ndeshje ka një histori".

Formacioni fitues nuk ndryshon. A do të ndodhë diçka e tillë edhe nesër?

"Të shohim. Nuk është e thënë diçka e tillë. Do të vendos në mbrëmjen e sotme. Mendoj që skuadra është mjaft mirë fizikisht. Tashmë kemi punuar edhe në aspektin psikologjik duke parë që ndërprerja e kampionatit erdhi si pasojë e tërmetit,fatkeqësisë që ndodhi në vendin tonë. Kemi punuar siç duhet dhe mendoj se lojtarët janë të gatshëm dhe do të japin më të mirën".

Sa e rëndësishme është kjo ndeshje para derbit?

"Sigurisht që është një ndeshje e rëndësishme për sa i përket ecurisë tonë gjatë këtyre javëve. E rëndësishme është të përgatitemi në maksimum për të ruajtur vazhdimësinë. Pikërisht për këtë arsye mendoj se është mjaft i rëndësishëm takimi ndaj Bylisit duke parë që edhe kundërshtari do të tentojë të marrë maksimumin për shkak të dy humbjeve".

I druheni agresivitetit të Bylisit?

"Frikë s’kemi dhe nuk i druhemi. Duhet ta respektojmë kundërshtarin, por fillimisht të respektojmë veten tonë duke bërë më të mirën".

Çfarë afrimesh do të ketë në janar?

"Kemi ende kohë. Për momentin objektivi primar është Bylisi, pasi janari do edhe shumë ditë të vijë".

A ju kënaq barazimi me Bylisin?

"Gjithmonë e kam thënë që unë e zbres skuadrën në fushë vetëm për fitore, pra nuk mendoj rezultat tjetër. Pastaj natyrshëm është fusha e lojës ajo që do të japë verdiktin final".

A do të mërziteshe nëse barazoje?

"Unë shkoj atje për fitore. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Gjithmonë unë e përgatis ndeshjen për ta fituar qoftë Bylis, Inter apo Liverpool. Pra, gjithmonë e përgatis Partizanin për të marrë maksimumin".

Si e shihni diferencën me skuadrat e tjera në Superiore?

"Mendoj që akoma nuk ka një shkëputje të madhe pasi kampionati vijon të jetë i ngjeshur. Në momentin që flasim klasifikimi ka shumë ekuilibër, përjashto Luftëtarin dhe Flamurtarin. Me dy ndeshje arrin të kapësh kreun. Pra, s’e mendojmë aspak një distancë të vogël," përfundoi Lerda.

Takimi mes Bylisit dhe Partizanit luhet të shtunën e 7 dhjetorit në Ballsh, duke nisur nga ora 13:30.

EMISIONET