Deportimi i turqve, Veseli: Nuk jam ndjerë më i turpëruar

Deportimi i turqve, Veseli: Nuk jam ndjerë më i turpëruar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është shprehur se nuk ka qenë në dijeni të vendimit për deportimin e 6 shtetasve turq.

Vesel gjatë seancës parlamentare tha se nuk është ndjerë ndonjëherë më shumë i turpëruar dhe se ky vendim ka ulur imazhin e Kosovës si shtet i pavarur. 

Ai gjithashtu u shpreh se ka bërë çdo gjë që ka pasur në dorë për ti gjetur, por nuk ka qenë e mundur pasi gjithçka ka qenë e planifikuar më parë.

"Gabimi i parë institucional, se në qoftë se kanë qenë terroristë është dashur dy vjet më herët të largohen, me procedura ngadalë. Kam bërë çka ka qenë e mundshme, i kam thirrur të gjithë, e kam thirrur kryeministrin, çdo institucion. 

Kam qenë në gjendje të shkoj edhe në aeroport, vetëm fatkeqësia e tyre është se kanë lajmëruar vonë, në kohën kur ishin planifikuar të gjitha. 

Veprimet ishin të paprecedente, kurrë nuk kisha besuar se një ditë si dita e djeshme do të isha aq i turpëruar, jo si institucion, si kryetar i Kuvendit, por nga ajo se çfarë po ndodh në një shtet që kam përgjegjësi."

Duke i kërkuar falje të gjithë familjarëve që nuk arriti dot që ti mbronte, Veseli u shpreh se përgjegjësia bie mbi të gjithë përfshirë kryeministrin Ramush Haradinaj, presidentin Hashim Thaçi dhe mbi atë vetë, e jo vetëm mbi Ministrin e Punëve të Brendshme dhe kreun e Inteligjecës së Kosovës që u  shkarkuan sot nga puna.

"Një popull i vuajtur, kemi qenë të pambrojtur. Imagjinojeni nëse të gjithë do të kishin bërë me ne çfarë të kishin dashur. Ne gjithmonë krenohemi dhe përmendim se nuk i kemi dorëzuar çifutët gjatë Luftës së Dytë Botërore, por çafrë bëmë ne. 

I rrëzuam njerëzit që nuk e dimë ku i kemi dorëzuar, çfarë standardesh. Ne mund ta deportojmë dikë, në të gjitha format, por me dinjitet, dhe jo ti rrëmbejmë. Imagjinoni sikur nesër njëri prej tyre të dalë i pafajshëm, ku do të jetë shteti i pavarur, imagjinojeni nëse i mbysin, ku do të jetë shteti i pavarur i Kosovës. Cili është mesazhi që dërgojmë?

Dëshiroj t’iu kërkoj falje të gjithë familjarëve, s’kemi arritur të bëjmë me shumë. Përgjegjësi kemi të gjithë, unë si kryetar i Kuvendit, përgjegjësi ka kryeministri, përgjegjësi ka presidenti. Edhe ata dy që janë shkarkuar, ata janë shkarkuar me të drejtë."


EMISIONET