BOOM: Detyrohet të paguajë taksë luksi për mjetin me fuqi të ulët motorike, prokuroria zvarrit çështjen

Denoncimi i shtetasit Pëllumb Isufaj, në lidhje me mashtrimin e tij nga ana e një biznesi që shet makina të përdorura në Kavajë, ka qenë këtë herë në qendër të investigimit të Boom.

Sipas tij, në dokumentet e makinës, shitësi e ka shënuar fuqinë motorike 2987 kubikë. Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, në kontrollin fizik që ka realizuar me kërkesë të shitësit deklaron se ky mjet është 2987 kubikë, ndërsa në kontrollin  e dytë fizik të realizuar në Fier nga blerësi, mjeti rezulton 3222 kubikë, ç`ka e detyron denoncuesin të paguajë taksën e luksit.

Pëllumb Isufaj:  Ata nuk më kanë vënë makinën me dokumentacion të rregullt, gjë e cila vërtetohet në dokumentacionin e DRTRRSH  Fier, e cila më thotë se makina është me 3222 kubike dhe nuk është me 2987 kubik. Makina nuk pranohet në Fier për shkak se ka një volum më të lartë të cilindrave dhe hyn në taksën e luksit. I bie që unë të paguaj 4 mln për të regjistruar makinën.

Gazetarja e BOOM, kontaktoi edhe me pronarin e pikës së shitjes së makinave, i cili deklaron se makina është blerë në Hollandë, me këtë fuqi motorike.

Pronari i Austsallonit: Po s'kanë pra. Është vetëm marka E Class, 280 motori, kaq, pikë. Ça lidhje ka vëllimi, e këto gjëra tani.

Gazetarja: Ja ku e ka 2987

Pronari i Austsallonit: E ka, ok, e ka

Gazetarja: Jo mos thuaj se ka, se e ka, e ka tek fatura e shit-blerjes. Ja ku e ke, e shikon?

Pronari i Austsallonit: Dakord pra

Gazetarja: Dhe kjo hyn tek specifikimet teknike, siç e kërkon klienti makinën.

Pronari i Austsallonit: Punën teknike shikon kontrolli teknik

E pyetur në lidhje me faktin, se përse i njëjti institucion, e ka nxjerrë të njëjtin mjet me dy fuqi të ndryshme motorike, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor pranon situatën dhe deklaron se rasti do të vlerësohet nga një komision ekspertesh të DPSHTRR .

Boom arriti të sigurojë një kopje te akt - ekspertimit teknik, ku thuhet se bazuar në të dhënat e drejtorisë së regjistrimit të mjeteve të vendit të origjinës, Holandë, të verifikuara online, mjeti ka fuqi motorike 3222 kubikë.

Që prej muajit shtator 2016 kjo çështje është regjistruar në Prokurorinë e  Kavajës, por procesi është zvarritur në mënyrë të vazhdueshme, edhe pse prokurori sipas dokumenteve që BOOM disponon, është furnizuar me të gjitha provat e kërkuara në lidhje me këtë hetim.

EMISIONET