Emisioni investigativ BOOM në RTV Ora, solli mbrëmjen e sotme denoncimin e disa banorëve ,të cilët jetojnë në lagjen nr.18 të qytetit të Durrësit. Ata ankohen se prej disa kohësh ,fqinji i tyre, z.Gazmend Shehu, mbarështon derra në katin e dytë të një objekti,

Ky ambjent më parë ka funksionuar si zdrutkthari e më pas si furrë buke ,pas privatizimit që ai ka bërë.

Banorët shprehen se jetesa e tyre është bërë e pamundur për shkak se kudo, në lagjen e tyre, ndihet era e pakëndshme që vjen si pasojë e "aktivitetit" të zotit Gazmend. Ata nuk kanë komunikim me të, pikërisht se nuk pranon t'i heqë derrat prej këtij ambjenti.

Fqinji nuk merr parasysh faktin se e gjitha kjo ndodh në një ambjent të banuar dhe të populluar në mes të Durrësit. Banorët e dinë që aty ekzistojnë derra, për shkak të erës kundërrmuese dhe britmave që kafshët lëshojnë, por askush nuk ka tentuar të hyjë e të mësojë më shumë se çfarë mban në të vërtetë në objektin e tij.

Për këtë, "Boom" u nis vetë drejt Durrësit për të parë nga afër situatën.

"E ka kthyer në stallë derrash.Na ka nxirë jetën.U bënë dy vite që ne nuk jetojmë dot në shtëpinë tonë. Jemi me fëmijë të vegjël.Kam shkuar në bashki, te mjedisi,në polici, nuk e ka vënë njeri ujin në zjarr. Sa i kam ngordhur mizat me ilaç. Era është shumë e keqe".


"Mbetëm gjithë ditën me rrahëse (mizash) në dorë" .

"Nuk hapim dot dritaret. Zhurmë e mizë e madhe'.

Fëmijët: Nuk luajmë këtu përpara se është erë e keqe. Është shumë keq.


Por çfarë thotë vetë rritësi i derrave, Gazmend Shehu?

"Këtë pronë e kam blerë për të bërë punë ose për qejf".

Gazetari i BOOM u fut në brendësi të ambjentit. Një ambjent gati i errët, i ndotur dhe me erë të padurueshme. Në të mbarështohen rreth 30 derra, disa të mëdhenj dhe pjesa tjetër janë të porsalindur.

Gazetari: E ke lejen që mban derrat?

Fqinji: I mbaj për qejf këta. E kam pasion. Këto aromat ngjiten në atmosferë.Nuk shkojnë në kat të parë.

Gazetari: Po jashtëqitjet ku shkojnë?

Fqinji: Shkojnë nëpërmjet tubacionit.

Gazetari: Po fakti që është një zonë e banuar ?

Fqinji: Nuk është zonë e banuar.

Gazetari: Pra, ti nuk ke leje për mbarështimin e tyre dhe i mban për qejf?

Fqinji: Po!

Rastin në fjalë BOOM ja parashtroi drejtuesit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Durrës përmes një bisede telefonike.

Gazetari: Është e lejueshme që ky zotëri të mbarështojë gjedhë në një zonë të banuar?

ARM: Absolutisht jo!

Gazetari: Cili ka qenë institucioni përgjegjës, i cili duhet të inspektonte dhe të vendoste gjoba ose ta mbyllte (aktivitetin)?

ARM: Kur kemi shkuar ne, e kemi bërë punën tonë dhe i jemi drejtuar bashkisë dhe zotërisë. Nuk është objekt që të merremi ne. Ai thotë që ka dy derra dhe i kam te shtëpia ime. I kemi dhënë urdhër që duhet t'i heqë se do të të vëmë gjobë. Njësia Administrative është e detyruar që të plotësojë edhe kërkesat. Zotëria të vijë të bëjë ankesë te ne pasi nuk ka bërë më ankesë që prej një viti.

ARM: Ai ( z.Shehu) pretendon që nuk e ka aktivitet. Kur kemi shkuar ne ka patur vetëm dy derra brenda dhe tha që "unë po fle vëtë me ta".

Gazetari: Po aktualisht që ka gati 30?

ARM: Le të dërgojë zotëria një ankesë tjetër dhe do shkojmë ,do marrim inspektorë. Do t'i kerkojmë ndihmë bashkisë, policisë bashkiake.

Për stallën e derrave ka dijeni dhe inspektori i njësisë Nr.4 që përfshin këtë zonë, por thotë se z. Shehu kishte deklaruar se do t’i hiqte. 

Gazetari: Besoj se ju jeni në dijeni për problemin e mbarështimit të derrave? Si mund të lejohet zotëria të ketë një aktivitet të tillë aty?

Inspektorja: Unë nuk kam fare informacion për këtë problem.

(banori denoncues pohon me kokë që ajo është në dijeni)

Gazetari: Banorët thonë që ju keni shkuar vetë dhe e keni parë situatën nga afër.

Inspektorja: Nuk po kujtohem tani.

Gazetari: A është e lejueshme?

Inspektorja: Absolutisht jo. Nuk diskutohet. Aaaa, te Gazmend Shehu. Ai leje mjedisi nuk ka. Kemi bërë përpjekje disa herë. Unë nuk e di, ai vazhdonka akoma. Ai erdhi dhe tha që unë do t'i heq ato.

/Ora News.tv/