Dënimi i Jashanices, reagon Skënderbeu: Ja e vërteta

Dënimi i Jashanices, reagon Skënderbeu: Ja e vërteta

Klubi i Skënderbeut ka reaguar për lajmin e publikuar sot në një media sportive ku bëhej me dije që korçarët nuk kanë apeluar pjesën e mbetur të dënimit për Bajram Jashanicën.

Përmes një deklarate për shtyp, korçarët zbulojnë se si qëndron e vërteta me qendërmbrojtësin e tyre. Ata i bëjnë thirrje gazetarëve që të mos shpifin në dëm të tyre. 

“DEKLARATË PËR SHTYP"

Klubi i Futbollit Skënderbeu bën me dijeni opinionin publik dhe mediat vendase se artikulli i publikuar ditën e sotme, datë 07.11.2019, në median sportive në lidhje me dënimin disiplinor të Lojtarit tonë, Bajram Jashanica, është tërësisht spekulativ, i gënjeshtërt, shpifës dhe përtej çdo standardi lidhur me profesionin e gazetarisë.

Siç dihet, Z. Jashanica është dënuar disiplinarisht nga Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s më datë 22.02.2018. Gjatë të gjithë procesit dhe deri në ditën e sotme, klubi ynë ka asistuar lojtarin në fjalë në të gjitha procedurat disiplinore, qofshin këto ankimi pranë Komisionit të Apelit të UEFA-s apo në CAS. Pavarësisht vullnetit dhe dëshirës së mirë për të minimizuar kohëzgjatjen e pezullimit për Z. Jashanica, nuk kemi mundur të arrijmë një rezultat të ndryshëm nga ai ekzistues.

Sa i përket pezullimit të sanksionit, situata është tërësisht ndryshe nga sa është raportuar nga “Panorama Sport”. Së pari, një kërkesë për pezullim të sanksionit disiplinor bëhet për kushte tërësisht specifike, është pa pagesë dhe mbi të gjitha, vetëm pasi një sportist ka vuajtur të paktën 3/4 e dënimit dhe jo 2/3 siç është pretenduar. Së dyti dhe më e rëndësishmja, më datë 09.10.2019, Z. Jashanica ka depozituar kërkesë pranë UEFA-s dhe ËADA-s për pezullimin e periudhës së mbetur të dënimit, kërkesë e përgatitur nga ana e klubit. Fatkeqësisht, më datë 11.10.2019, ËADA dhe UEFA kanë refuzuar kërkesën e paraqitur, me argumentin ligjor se Z. Jashanica nuk ka të drejtë të kërkojë këtë lëshim, në përputhje me Kodin e Anti-Dopingut të ËADA-s dhe Rregulloren e Anti-Dopingut të UEFA-s.

Për Klubin e Futbollit Skënderbeu shpifjet e kryera nga “Panorama Sport” nuk janë as risi dhe as të rastësishme. Është e qartë për ne që këto kanale mediatike kanë punuar dhe punojnë pareshtur në dëm të interesave tona, pavarësisht fakteve dhe të vërtetës. Ftojmë këta pseudo-gazetarë të ushtrojnë profesionin e tyre duke verifikuar e raportuar të vërtetën dhe jo duke e krijuar atë.

Me Respekt,

KF Skënderbeu," mbyllet reagimi i klubit korçar.

EMISIONET