Dëmtimi i Alban Mehës bën me dhimbje koke trajnerin e kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, në prag të sfidës më të rëndësishme të sezonit kundër Norvegjisë, në fillimin e muajit të ardhshëm. Pas një sërë dëmtimesh të futbollistëve kuqezinj dhe pezullimesh për shkak kartonësh, italiani do duhet që të bëjë llogaritë edhe me mungesën e sigurt tashmë të mesfushorit të Paderbornit, Alban Meha. Ky i fundit nuk do të jetë për ndeshjen e rëndësishme kualifikuese në grup ndaj Norvegjisë, e cila do të luhet më 7 Qershor në Tiranë. "Snajperi" i goditjeve të dënimit, nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë kombëtaren për këto eliminatore përcaktuese, pasi është dëmtuar rëndë në menisk dhe do të duhet që të operohet në ditët e ardhshme. Lajmi konfirmohet nga mediat gjermane, të cilat i kanë dhënë një hapësirë të konsiderueshme mungesës për disa muaj për shkak të dëmtimi të lojtarit të ekipit tonë përfaqësues. Fillimisht u mendua për diçka të vogël, por ekzaminimet e kryera ditën e djeshme kanë dëshmuar se situata është shqetësuese dhe kërkon patjetër ndërhyrjen kirurgjikale brenda kësaj jave. Ky lajm i keq është publikuar në faqen zyrtare të klubit gjerman ku shkruhet se "Mbyllet sezoni për Mehën. Ai do të kthehet vetëm në fazën përgatitore". Mesfushori u dëmtua pasditen e së Dielës në minutën e 23-të të ndeshjes Paderborn-Mynih 2- 0. Por, pas këtij dëmtimi, duket se Meha nuk do të ketë mundësi që të kalojë te ndonjë ekip tjetër, duke qëndruar te Paderborni deri në përfundim të kontratës, në Qershorin e 2014-ës.  Dëmtimi i Mehës i shtohet listës së gjatë të trajnerit De Biazi, i cili e ka konsideruar atë një humbje të madhe pas mungesave të Kukelit, Canës, Roshit dhe Lilës. Trajneri Italian, edhe pse duhet të bëjë pa këto emra të rëndësishëm në ndeshjen kundër Norvegjisë, ai kërkon të karikojë skuadrën duke thënë se mungesa e tyre duhet të kthehet në forcë dhe potencial për lojtarët e tjerë që do ti zëvendësojnë ato.  

/Ora News.tv/