Demarkacioni, vitin tjetër në Kuvend

Demarkacioni, vitin tjetër në Kuvend

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi nuk pritet të dalë në votim para deputetëve gjatë këtij viti, ani pse Qeveria tashmë ia ka nisur Kuvendit këtë marrëveshje.

Meqë kanë mbetur edhe 10 ditë deri në përfundim të vitit 2017, gjasat janë minimale që Demarkacioni të procedohet në Kuvend, shkruan gazeta “Zëri”.

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se pa u gjetur një konsensus mes partive (për ta votuar), kjo marrëveshje nuk do të shkojë para deputetëve.

Të njëjtën e kanë pohuar edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit (nga PDK-ja), të cilët kanë thënë se nëse nuk arrihet një marrëveshje e tillë atëherë nuk ka nevojë që Demarkacioni të dalë fare në votim.

Me këtë rast ata kanë thënë se zhvillime rreth Demarkacionit mund të ketë tek pas Vitit të Ri (2018).

Kjo marrëveshje ende nuk është shqyrtuar as nga Komisioni për Punë të Jashtme, përkundrazi, një gjë e tillë pritet të ndodhë në fund të këtij muaji (26 dhjetor).

Nga ana tjetër, përderisa përfaqësuesit e opozitës (nga LDK-ja) thonë se kjo marrëveshje është politizuar, ata të lëvizjes ‘Vetëvendosje’ ripërsërisin se nuk do ta pranojnë versionin aktual.

E pavarësisht se kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon të insistojë se versioni i tanishëm është i gabuar, Mali i Zi duke bërë thirrje për ratifikimin e saj ka ripërsëritur edhe dje se kjo çështje tashmë është mbyllur.

EMISIONET