Qeveria e Kosovës ka besim se korrigjimi i kufirit me Malin e Zi do të përfundohet brenda 2 vitesh, sipas afatit të parashikuar. Zyrtarë të qeverisë deklarojnë se ekipet përkatëse kosovare dhe malazeze janë në kontakt të vazhdueshëm për të konkretizuar ndryshimin. Por për opozitën, ky nuk është korrigjim i mirëfilltë i vijës kufitare me Malin e Zi.

Pas miratimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, tashmë rradhën e ka korrigjimi real i kufirit mes vendeve. Për qeverinë kosovare, ky hap do të realizohet brenda dy vitesh, sipas afateve të parashikuara në marrëveshjen e nënshkruar mes presidentëve të dy shteteve përkatëse. Halil Matoshi nga kabineti qeveritar, beson se ekipet shtetërore do të nisin së shpejti punën për të korrigjuar kufirin, ndërsa konfirmoi se palët janë në kontakt dhe negociata të vazhdueshme.

Por opozita nuk duket të jetë optimiste për një parashikim të tillë. Kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca kërkoi rishikim të gabimeve që marrëveshja përmban, përmes një hetimi parlamentar. Për Konjufcën, akordi i miratuar nga qeveria Haradinaj nuk është një version i përmirësuar i akordit që u arrit fillimisht nga ish-kryeministri Isa Mustafa.

Sakaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, procesi i korrigjimit të vijës kufitare me Malin e Zi përbën humbje kohe për vendin. Për përfaqësuesit e kësaj partie, Kosova nuk ka asnjë lloj përfitimi nga kjo marrëveshje, por vetëm humbet kohë në vend që të përmirësojë vijën territoriale siç parashikohet me ligj.

/Ora News.tv/