Delegacioni i KiE: Zgjedhjet e 30 qershorit, dobësuan demokracinë, më pak pluralizën në bashki
Zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri nuk ishin promotore dhe ndihmuese për forcimin e demokracisë në vend. Ky është përfundimi i delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Ky delegacion mbajti një vizitë 3-ditore në vendin tonë në lidhje me zgjedhjet vendore të datës 30 qershor dhe pas kësaj vizite pritet publikimi i një raport gjithëpërfshirës për këtë çështje.
Duke iu referuar situatës që pasoi zgjedhjet e fundit vendore, presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Adners Knape ka ritheksuar se Shqipëria ka nevojë që të ndjekë hapat e reformës.
“Nuk ka funksionim të demokracisë në nivel shtetëror pa pluralizëm në nivel lokal. Kongresi do ë vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të konsoliduar vetë-qeverisjen territoriale. Forcimi i diskutimit mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore dhe lufta ndaj korrupsionit, janë të një rëndësie të veçantë për Kongresi në këtë aspekt”, - tha Knape.
“Fatkeqësisht, zgjedhjet e vitit 2019 nuk ishin promotore për forcimin e demokracisë vendore në Shqipëri, por çuan në një situatë me më pak pluralizëm në bashkitë e vendit, duke bërë që të bjerë akoma më shumë besimi i qytetarëve kundrejt institucioneve të vendit. Opozita dhe qeveria nuk duhet të qëndrojë indiferente kundrejt një situate të tillë dhe duhet të veprojnë në një mënyrë të përgjegjshme, sipas rolit të tyre në një proces demokratik, në mënyrë që të sigurohen zgjedhje pluraliste për votuesit, si në nivel vendor ashtu edhe qendror.” – tha Gunn-Marit Helgesen, president i Dhomës Rajonale në Kongres.
“Kongresi do të kthehet sërish në Shqipëri në pranverë me një delegacion për të vlerësuar më tej reformën administrativo-territoriale të implementuar qysh në vitin 2015. Raporti do të prezantohet në tetor, në një seancë plenare në Strasburg dhe do të hedhë dritë mbi implementimin e ligjshmërisë nga Shqipëria, gjë e cila është një hap i madh në zhvillimin demokratik të vendit.” – u shpreh Xavier Cadoret, Presidenti i Autoriteteve Lokake.
Sipas burime për RTV Ora ka qenë Presidenti Ilir Meta që ka kërkuar prezencën e përfaqësuesve të KiE-së në kryeqytet për të mbledhur fakte mbi situatën e paprecedentë pasi ne zgjedhjet lokale 61 bashkitë në vend u fituan nga PS, ku në 31 prej tyre ka pasur vetëm një kandidat socialist.
Për të dëgjuar të gjitha palët 7 zyrtarët evropianë kanë zhvilluar takime edhe me Kreun e PD, Sekretarin e Përgjithshëm të PS, kreun e KQZ-së, zv. Ministrin e Brendshëm, kreun e bashkisë Tiranë, kryetaren e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, përfaqësues të trupit diplomatik të vendor në Tiranë, OJF, si dhe Avokatin e Popullit.
