Dëbimet e rusëve, reagojnë NATO-ja, Pentagoni

Dëbimet e rusëve, reagojnë NATO-ja, Pentagoni

NATO-ja njoftoi se po dëbon shtatë diplomatë rusë dhe po u mohon akreditimin tre të tjerëve si pjesë e një kundërpërgjigjeje "të gjerë, të fortë dhe të koordinuar" ndërkombëtare ndaj sulmit me lëndë nervore ndaj një ish-agjenti të dyfishtë rus dhe të bijës së tij në Britani.

"Sot kam tërhequr akreditimin e shtatë vetëve të misionit rus në NATO. Do t’u mohoj gjithashtu kërkesën për akreditim tre të tjerëve", tha të martën sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. "Kjo do të dërgojë një mesazh të qartë në Rusi se do të ketë kosto dhe pasoja për sjelljen e tyre të papranueshme".

Stoltenberg vuri në dukje se Këshilli i Atlantikut të Veriut gjithashtu ka reduktuar në 10 numrin maksimal të misionit rus në NATO nga 20 që ishte gjithsej.

Ky hap pason një vendim të ngjashëm nga Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 20 vende të tjera pas helmimit të ish-agjentit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia, të cilët u gjetën pa ndjenja në një stol parku në Salisbury në fillim të këtij muaji. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vendet e tjera perëndimore fajësuan Rusinë për sulmin.

"Veprimet tona pasqyrojnë shqetësimet serioze të sigurisë të shprehura nga të gjithë aleatët dhe janë pjesë e përpjekjeve të koordinuara ndërkombëtare për t'iu përgjigjur sjelljes së Rusisë", tha të martën sekretari i përgjithshëm i NATO-s. "Vendimi i sotëm nuk e ndryshon politikën e NATO-s ndaj Rusisë".

Moska ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se dëbimet masive ishin rezultat i "presionit kolosal" nga ana e Uashingtonit.

Të hënën SHBA urdhëroi 60 diplomatë rusë të akuzuar si agjentë, për t'u larguar nga vendi brenda një jave dhe urdhëroi mbylljen, deri më 2 prill, të konsullatës së Rusisë në qytetin port Seattle në shtetin e Uashingtonit.

Zoti Lavrov tha se Moska do t'i përgjigjet vendimit të SHBA brenda një jave.

Shtëpia e Bardhë tha se gjatë një telefonate të martën, Presidenti i SHBA Donald Trump dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel vlerësuan njoftimet e përbashkëta nga partnerët e NATO-s dhe të tjerëve "për të dëbuar oficerët e pa shpallur rusë të zbulimit në solidaritet me Mbretërinë e Bashkuar dhe si përgjigje ndaj përdorimit të papërgjegjshëm nga Rusia të armëve kimike."

Të martën në Pentagon, sekretari i mbrojtjes i SHBA Jim Mattis kritikoi atë që ai e quajti përdorim "mjaft të qartë" nga Rusia të një "arme të shkatërrimit në masë, një agjent kimik, për herë të parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore".

Ai vuri në dukje se mekanizmi që Rusia dhe NATO-ja të punonin së bashku "fatkeqësisht… është diçka e së kaluarës", për shkak të veprimeve të Moskës.

"Rusia ka zgjedhur të jetë një konkurrent strategjik madje edhe me veprime të papërgjegjshme, sepse vetëm kështu mund t’i quash ato, ndaj njerëzve të pafajshëm në Salisbury të cilët u ekspozuan nga kjo lëndë dhe që mund të kishin gjetur vdekjen,” tha zoti Mattis për gazetarët. /VOA/

EMISIONET