Kriza politike në Kosovë, përshkoi debatin virtual të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, tha se ndarjet politike në Kosovë e kanë shpërqendruar vëmendjen e shumë udhëheqësve të saj nga kriza shëndetësore.

“Këto ndarje kanë zvogëluar besimin e publikut në udhëheqjen politike gjatë një kohe të një ankthi dhe pasigurie të rritur të popullsisë", tha ai.

Ai vlerësoi edhe siç tha, komunikimin dhe bashkërendimin e përmirësuar midis autoriteteve shëndetësore në Prishtinë dhe në Beograd në kohën e pandemisë duke përmendur me këtë rast edhe një mijë teste për koronavirusit, që Serbia u dhuroi Kosovës.

Këtë dhuratë e përmendi edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, duke theksuar se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë të dëshmojë solidaritet në kohën e pandemisë, ndërsa kritikoi siç tha, politizimin e kësaj mbështetjeje nga politikanët në Prishtinë.

Ministri serb tha se Serbia edhe gjatë periudhës para takimit të Këshillit të Sigurimit ishte e përkushtuar për një marrëveshje me Kosovën “që asnjëra nuk do të merrte gjithçka por do të merrte mjaftueshëm për ta bërë zgjidhjen afatgjate dhe të qëndrueshme”.

Ai tha se kishte shpresë që pas zgjedhjeve të tetorit në Kosovës dhe formimit të qeverisë në shkurt të këtij viti do të ishte një periudhë e një faqeje të re kundrejt bisedimeve.

“Por, pamë pikëpamje shumë më të skajshme dhe mosgatishmëri për bisedime në vendimet e qeverisë së Albin Kurtit”, tha ai duke theksuar se vendosja e masave reciproke ndaj Serbisë pas heqjes së tarifave ndaj mallrave të saj nga zoti Kurti janë hapi i fundit që pengon rifillimin e bisedimeve.

Ai tha se është e papranueshme të vihet paralele ndërmjet tarifave të vendosura ndaj mallrave serbe dhe fushatës së Beogradit për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Ai falënderoi ambasadorin amerikan Richard Grennell, i dërguar i presidentit Donald Trump për marrëveshjet për trafikun e ajror, hekurudhor dhe rrugor ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Ministri serb tha se projekti për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës është gabim i një pjesë të komunitetit ndërkombëtar.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca tha se Serbia nuk po e kupton një fakt të thjeshtë: “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, më 22 korrik 2010 e ka vulosur legalitetin dhe legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, që është e pakthyeshme”, tha ai duke cituar opinionin e gjykatës se “shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar”.

Ministri Konjufca tha se sa më parë që Serbia e kupton këtë, do të jetë më e dobishme për Serbinë, për Kosovën dhe rajonin. Ai tha se kërkesën në Gjykatë e kishte dorëzuar Serbia dhe “është qasje hipokrite të pyesësh Gjykatën dhe të mos e respektosh përgjigjen e saj”.

Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë sa më parë, sepse kësisoj tha ai, do të respektonin jo vetëm vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës por edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare.

Ministri Konjufca tha se marrëdhëniet e vështira me Serbinë mund të përmirësohen vetëm me dialog të sinqertë dhe të barabartë.

“Për të krijuar një mjedis të tillë, qeveria ka vendosur të tërheq tarifën qind për qind, kemi marrë hapa gradual të reciprociteti për të adresuar barriera tarifore që Serbia i ka bërë për mallrat tona. Serbia duhet t’i heqë barrierat”, tha ai.

Ministri Kojufca kërkoi që Serbia të japë përgjigje për personat e zhdukur gjatë luftës duke përmendur profesorin Ukshin Hoti si dhe vënien para drejtësisë të autorëve të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

Ai akuzoi ministrin serb se “është duke mashtruar disa shtete që e kanë njohur Kosovën, duke thënë se bisedimet Kosovë Serbi kane të bëjnë më statusin e politik të Kosovës”, tha ai duke nënvziuar se Pavarësia e Kosovës është faktori i paqes dhe stabiliteti në rajon.

Zoti Konjufca sikurse edhe një pjesë e ambasadorëve të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit tha se ka ardhur koha që të përmbyllet misioni i UNMK-ut në Kosovë.

Këshilli i Sigurimit arriti një marrëveshje vitin e kaluar se gjatë vitit 2020 do të mbahen dy takime në vit për Kosovën, një në muajin prill dhe një në muajin tetor./VOA

/Ora News.tv/