Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se do të dekretojë shumë shpejt datën e re të zgjedhjeve vendore. Nga ana tjetër ai ishte i qartë kur tha se dekreti për shfuqizimin e 30 qershorit është në fuqi dhe se po mban shënim të gjitha institucionet që nuk e zbatojnë, duke iu referuar këtu KQZ-së.

Meta: Sa më parë të jetë e mundur. Po punojmë me shumë qetësi dhe përgjegjësi. Dekreti është në fuqi, i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin.

Duke folur për pasojat që do të kenë ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë, Meta tha: "Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurt që do të kenë të gjitha pasojat që provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend".

I pyetur nëse ka reflektuar pas votimit të rezolutës me 100 vota nga shumica, Meta tha: "Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti, jo nga ky, nga një parlament plotësisht legjitim. Presidenti i takon Republikës dhe Republika vetëm qytetarëve".

Ndërkohë që dekreti pritet të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor, Meta tha se dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit,e cila nuk ekziston.

Ilir Meta: Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet, përkundazi i fton të gjithë të izolojmë çdo të çmendur i cili në këtë ditë të dhurimit të gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse vetëm ato sigurojnë çeljen e shpejtë të negociatave për BE që është objektiv i të gjithë shqiptarëve. 

Dekreti është në fuqi, është i zbatueshëm dhe i detyrueshëm për të gjithë.Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë le të vazhdojë, është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë që çdo ditë të bëjë thirrje për reflektim.

Deklaratat Meta i bëri sot paradite (14 qershor) pasi vizitoi  tendën e Kryqit të Kuq Shqiptar të ngritur në Parkun “Rinia” të kryeqytetit, me rastin e Ditës Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut.

Në kuadër të nismës së ndërmarrë, në bashkëpunim me Aleancën e Dhurimit të Gjakut, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë që u rikthye edhe këtë vit mes dhuruesve të shumtë vullnetarë, si dhe falënderoi Kryqin e Kuq Shqiptar, që punon me përkushtim për këtë kauzë kaq humane në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Meta: “Jam këtu për të nxitur më tej këtë vullnetarizëm, këtë solidaritet që i ka shërbyer prej më se një viti edhe Aleanca për Dhurimin e Gjakut dhe do të vijojë në mënyrë të qëndrueshme edhe në të ardhmen. Aq më tepër që jemi edhe në fillim të sezonit të verës dhe tani nevojat shtohen akoma e më shumë.” 


/Ora News.tv/