Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë do të publikohet pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të diasporës. Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së në Kosovë, tha për Ora News se këto ishin zgjedhjet më të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Në këtë kontekst ajo vlerëson edhe vullnetin e politikanëve.

Numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës do të jenë hapi përfundimtar pas së cilit Komisioni Qendror i zgjedhjeve në Kosovë do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të së dielës.

Në një intervitë për Ora News, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se po merren në konsideratë të gjitha ankesat e procesit, dhe më pas do fillojë numërimi i votave të mbetura.

Daka: Rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Kosovë do ta marrim pasi të përfundojmë procedurat ligjore, ankesat eventuale dhe më pas vendosjen e ankesave. Pasi të përfundojmë procedurat ligjore do të numërojmë dhe votat me kusht dhe të diasporës dhe do të shpallim rezultatin përfundimtar.

Ndërkohë, procesin e shpejtë të numërimit të votave, Daka ia atribuon jo vetëm numërimit të votave në qendrat ku u votua, por edhe vullnetit të politikanëve.

Daka: Janë numëruar votat në vendvotime dhe kemi funksionuar shumë mirë pas përmbylljes së procesit, rezultati ka dalë menjëherë.Edhe subjektet politike pavarësisht nëse janë të lumtur me këto rezultate apo jo, i kanë pranuar.

Në këto zgjedhje, për herë të parë qytetarët në veri votuan vetëm me kartë identiteti të Kosovës. Edhe pse kryetarja e KQZ-së tha se këto ishin zgjedhjet më të mira në Kosovë, vendi ka nevojë për një reformë të thellë zgjedhore.



/Ora News.tv/