Conte: Zgjidhni krizën politike që të keni letrat në rregull në takimin e ardhshëm të BE

Conte: Zgjidhni krizën politike që të keni letrat në rregull

Kryeministri italian Giuseppe Conte deklaroi sot se vendi i tij do të kërkojë në çdo takim të ardhshëm të Këshillit Europian që të merret në shqyrtim hapja e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Bashkimin europian.

Në deklaratën e përbashkët me kryeministrin Rama në përfundim të takimit në Romë, Conte ritheksoi se mosmarrja e një vendimi dy javë më parë, ishte një “gabim historik”.

Duke ju referuar situatës në Shqipëri, ai u shpreh se vendi duhet të zgjidhë krizën politike dhe institucionale për të vijuar përmbylljen e reformave si dhe që në momentin kur vendet anëtare do të duhet të vendosin për zgjerimin, Shqipëria t’i ketë letrat në rregull.

Giuseppe Conte: Si pasojë e vendimit të Bashkimit Europian për të shtyrë më tej përfundimet lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, unë kam pohuar në mënyrë të fortë se është fjala për një gabim historik. E ripohoj këtu, sot, prapë përpara Kryeministrit Rama dhe përpara gjithë popullit shqiptar, perspektiva e zgjerimit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mbetet mjeti më i mirë për ta integruar plotësisht popullin shqiptar dhe të Maqedonisë së Veriut në BE dhe për të garantuar zhvillimin më të sigurt dhe të besueshëm për Shqipërinë në mënyrë të veçantë, sepse rrugëtimi i afrimit tashmë është kthyer në reforma të rëndësishme dhe do të vazhdojë dhe më tej të kthehet në reforma të tjera të vendit, të nevojshme për fuqizimin e institucioneve demokratike dhe për zhvillimin.

Është aktuale zgjidhja e krizës politike dhe institucionale të brendshme të Shqipërisë, për të plotësuar procesin reformues dhe për të pasur gjithë letrat në rregull për takimin e ardhshëm, ku vendet anëtare të BE-së do të shprehen lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë. Ajo që mund të garantojë është se Italia do të jetë në radhë të parë duke e mbështetur këtë kërkesë. Angazhimi i saj për ta mbështetur këtë kërkesë në të gjitha takimet e tjera pranë BE-së dhe do ta bëjmë këtë.

BE-ja ka një përgjegjësi të madhe, ka nisur një bashkëbisedim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund ta ndërpresë këtë bashkëbisedim, megjithëse është fjala për një fazë preliminare, sepse nuk flasim këtu për negociata formale, ose për të vendosur nëse duam, ose nuk duam të integrojmë. Është fjala për një diskutim paraprak.

I kam ripohuar Kryeministrit Rama inkurajimin për gatishmërinë në këtë drejtim edhe të opozitës në mënyrë që të zhbllokohen aspektet kritike që e ndalojnë vazhdimin gjatë rrugës së reformave, sidomos lidhur me reformën zgjedhore. I lejoj vetes si Kryeministër i një vendi që ka një traditë të fortë miqësie me Shqipërinë, të ripohoj këtu ftesën drejtuar forcave të opozitës që të pranojnë një hapje të tillë me fryme konstruktive dhe në qoftë se më lejoni, pa parakushte.

EMISIONET