Conte në konferencën e fundvitit: Krenar se jemi qeveri populiste dhe jo lobiste

Conte në konferencën e fundvitit: Krenar se jemi qeveri populiste dhe

"Një qeverisje inovative që solli një ndryshim radikal të politikës italiane", kështu deklaroi para gazetarëve kryeministri italian Giuseppe Conte në takimin e tij të fundit vitit me mediat italiane e të huaja mes të cilëve ishte i ftuar dhe RTV Ora News.

Është bilanci i parë i përgjithshëm i qeverisë Conte pas 7 muaj që drejton vendin dhe kreu i ekzekutivit shprehet pozitiv pasi për herë të parë premtimet elektorale të forcave politike që erdhën në qeverisje u redaktuan në një kontratë qeverisje, duke u shndërruar më pas në impenjime të realizueshme.

"Shpreh me krenari, tha kreu i ekzekutivit italian, se jemi një qeveri populiste duke hedhur dritë mbi mënyrën e punës tonë nga premtimet elektorale, në një kontratë qeverisje, e në aksionin e zbatimit të tyre".

"Qeveria italiane sot nuk është një qeveri e lobeve, e komiteteve të bizneseve e komiteteve ekonomike", tha ai.

Reforma ekonomike, debati me Brukselin, manovra fiskale, pensionet, punësimi, reduktimi i taksave, ishin çështjet kryesore të këtij bashkëbisedimi e ku Kryeminsitri italian konfirmoi bindshëm se bazat e ekonomisë italiane janë solide me gjithë borxhin e lartë që ka vendi.

"Italia është ekonomia e tretë e Eurozonës, industria e dytë e fasonëve në Europë, Italia është pjesë e G7, kemi një borxh që na frikëson, por një pjesë të mirë të tij mundim të financojmë me burimet tona të brendshme", tha ai.

Polemikave mediatike se reforma ekonomike u diktua nga Brukseli, Conte iu përgjigj se është një mamovër e hartuar në Itali me redaktimin e nevojshëm të Komisionit Europian e që synon të realizojë të gjitha premtimet elektorale të dy forcat politike qeverisëse.

"Për të luftuar nivelin e lartë të papunësisë, tha ai, të gjithë sipërmarrjet që do të punësojnë të rinj, do të stimulohen me lehtësira fiskale nga qeveria".

Tema e emigracionit është një çështje e nxehtë e politikës së brendshme e të jashtme italiane, me akuzat e opozitës, por dhe të vendeve europiane ndaj vendimit të qeverisë për mbylljen e porteve e kufijve.

"Nuk kam thënë kurrë se shkaku i kësaj krize emigracioni janë emigrantët, tha kreu i qeverisë italiane, përkundrazi mendoj se ata janë viktima të kësaj situate, viktimav të trafikantëve të qënieve njerëzore. I mbyll apo i hap Italia kufijtë nuk e zgjidh këtë problem, çështja duhet të gjejë zgjidhje që në origjinën e saj", tha ai.

Konferenca e shtypit e fundvitit e Kryeministrit italian u zhvillua mes kerkesave të gazetarëve për një impenjim legjislativ të qeverisë për më shumë financime publike ndaj mediave që rrezikojnë të mbyllen e lirisë së shtypit, fakt ky i apeluar disa herë nga Presidenti Mattarella e Ati i Shenjtë Papa Françesku.

"Gazetarët janë qentë roje të demokracisë", u shpreh në këtë takim kreu i urdhrit të gazetarëve italianë Carlo Verna i cili improvizoi 7 sekonda heshtje duke shtuar më pas: "E shikoni se ç'efekt ka papritur një zë që nuk është më, e heshta vetëm 7 sekonda" duke iu referua rrezikut të mbylljes së mediave të njohura italiane Radio Radikale , gazeta Avvenire e media të tjera të përfshira nga reforma e re ekonomike, e cila parashikon shkurtimin ndaj tyre të financimit nga shteti.

Në takimin me kreun e qeverisë, gazetarët italianë e të huaj kujtuan korrespondentin Antonio Megalizzi i mbetur viktimë në sulmin terrorist në Strasburg e gazetarin Giovanni Battiloro, një nga 43 viktimat në shembjen e urës Morandi.

EMISIONET