Marrëdhënia mes Doganave dhe Biznesit në Shqipëri, për vitin 2020 është vendosur në qendër të vëmendjes gjatë mbledhjes së sotme të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço veçoi çështjen e listës së referencës sipas të cilit është përmirësuar, por që duhet hequr si praktikë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka kërkuar rishikimin e formës së rivlerësimit të mallrave. Duke e konsideruar  vendosjen e ccmimeve të referencës si një mënyrë të vjetër veprimi, Enio Jaço theksoi se tashmë është koha për të ndryshuar, edhe pse ka vërejtur përmirësime ndër vite.

Enio Jaço: “Dua të veçoj një çështje që më ka bërë përshtypje, çështja famëkeqe e listës së referencës. Një nga çështjet që është ngritur disa herë dhe me kohë ka marrë përmirësime. por ka ardhur koha që ky ligj të eliminohet. Kjo praktikë duhet të eliminohet. Është tërësisht e pasaktë dhe primitive, bën një lloj drejtësie që është e pasaktë. Nuk i shërben nivelit të sofistikuar që bizneset të aplikojnë.’’

Për drejtorin e Doganave Gjon Bardhi, në çdo vit ka rritje të transparencës dhe reduktim të mallrave që rivlerësohen.

Gjon Bardhi: ’Përqindja e artikujve të rivlerësueshëm, sipas të dhënave të disponueshme, administrata doganore ishte në masën 19.07% në vitin 2013 dhe kjo shifër në 2019 është reduktuar në 9%. Do të ketë një sistem më të azhurnuar vit pas viti.’’

Në diskutimet në tryezë Kryetarja e komitetit të taksave dhe doganave në dhomën amerikane Alketa Uruçi tërhoqi vërejtjen se në mjaft raste në dogana preferohet mundësia e fundit në rivlerësimin e produkteve.

Alketa Uruçi: ‘’Mendoj se do të ishte një ide shumë e mirë në qoftë se administrata doganore do detyrojë çdo doganier, të japë në vlerësimin që bën edhe argumentat pse nuk aplikohen metodat e tjera dhe pse shkohet drejtpërsëdrejti drejt metodës së 6, që është metoda e fundit ajo e çmimeve të referencës.’’

Heqja e çmimeve të referencës në fakt është një kërkesë që bizneset e kërkojnë për më shumë se 20 vite.

Ndërkohë Drejtori i Përgithshëm i Doganave Gjon Bardhi, tha se viti 2019 ishte shumë i vështirë si për klimën e biznesit ashtu dhe për vetë administratën doganore.

/Ora News.tv/