Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ndodhet sot në Prishtinë në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, që synon nxitjen e reformave ekonomike dhe demokratike në rajonin ende të ngarkuar me tensione etnike. Sekretatrja Clinton do të takohet me udhëheqësit e Kosovës si dhe me përfaqësues lokal të serbëve në Kosovë. Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton e cila po shoqërohet nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimi Evropian Catherine Ashton po synon të nxisë Serbinë dhe Kosovën që të zbatojnë marrëveshjet e arritura në bisedimet e deritashme, të çojnë përpara bisedimet dhe të nxiten të dyja palët që të hedhin hapa konkret që do të ndihmonin përparimin e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Sekretarja Clinton gjatë një konference për gazetarët në Beograd tha se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova është shtet i pavarur dhe se kufijtë e Evropës nuk do të ndryshojnë. “Por, ka shumë gjëra të cilat mund të arrihen në mes të Kosovës dhe Serbisë nëse punojnë së bashku për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve”, tha sekretarja Clinton. “Këto bisedime nuk kërkojnë nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës. Ne i kuptojmë problemet politike, megjithatë bisedimet kërkojnë nga të dyja qeveritë që të ecin përpara me marrëveshje praktike, që u ndihmojnë çdo ditë në siguri dhe interesa ekonomike, qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës”, tha Clinton. Ndërsa shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton tha se e ardhmja e Serbisë është në Bashkimin Evropian dhe se dialogu me Prishtinën është në të mirën e ty dyja palëve. “Dua të jem e qartë se ky dialog është në të mirën e ty dyja palëve. Objektivi kryesor i këtij dialogu është përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve. Arritja e këtyre objektivave do t’i afrojë Serbinë e Kosovën më afër Bashkimit Evropian”, tha zonja Ashton Vizita e sekretares Clinton, pritet t`u jap një shtysë të re planeve për përshpejtimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vizita e sekretares Clinton vlerësohet me rëndësi për Kosovën duke pasur parasysh rolin e qeverisë amerikane por edhe të asaj personalisht në proceset politike në Kosovë.

/Ora News.tv/