Në debatet që dukeshin sikur nuk do të përfundonin kurrë mes Kinës dhe ShBA-së, ka pasur një kthesë e papritur në ditët e fundit. Të hënën, nënpresidenti i ShBA-së Mike Pence tha se përpjekjet e Kinës për të luftuar COVID-19 kanë "një shkallë shumë më të lartë transparence" në krahasim me trajtimin e saj të mëparshëm të shpërthimit. 

Presidenti Donald Trump shkroi po atë ditë në "Twitter" dhe e përmendi pandeminë thjesht si "virus", duke shmangur enkas etiketimin "virusi kinez" siç kishte bërë më parë. Të martën ai pohoi gjatë një interviste për "Fox News" se "nuk duhet ta bëjmë shumë të madhe një gjë të tillë", duke pranuar se "mendoj se e kam bërë shumë të madhe."

Po, është e vërtetë. Që kur Trump-i filloi të përdorë shprehjen "virusi kinez", ka pasur raporte të shumta për kinezët dhe kinezo-amerikanët që janë ngacmuar dhe keqtrajtuar në rrugë. Kristen Brownell, një instruktore në Kolegjet "Claremont" në Los Anxhelos, shkroi në "The Guardian" në lidhje me mohimin e shërbimit nga shumë restorante, sepse ajo po sillte me vete studentë kinezë. Në artikullin me titull "Përçmim, ngacmim dhe dhunë: kinezo-amerikanët janë të shqetësuar për sigurinë e tyre", të botuar në "New York Times", pohohet se aziatiko-amerikanët "i janë nënshtruar bashkë me kinezo-amerikanët si një grup i tërë një intolerance që nuk dallon ndryshimet mes tyre."

Presioni politik mbi presidentin amerikan Trump ka ardhur duke u rritur. Sipas "Vox", blloku i votuesve aziatiko-amerikanë po rritet me shpejtësi dhe po bëhet thelbësor në shumë shtete. Dhe si demokratët, ashtu edhe republikanët po përpiqen ta kapin atë. "NBC News" theksoi se votuesit aziatiko-amerikanë janë përcaktues në disa shtete.

Për shembull, Uiskonsini ka rreth 70 mijë votues me origjinë aziatike, tre herë më shumë se numri i votave me të cilat Trump-i fitoi në këtë shtet në vitin 2016. Armiqësimi me të gjithë votuesit me origjinë aziatike nuk ndihmon në rizgjedhjen e Trump-it, posaçërisht kur Judy Chu, kongresmenia e parë me origjinë kineze në Kongres dhe kryetarja e Grupit të Amerikanëve me Origjinë nga Azi-Paqësori në Kongres, i quajti veprimet e Trump-it si "të rrezikshme"./Marrë nga CRI/


/Ora News.tv/