Buxheti “pa” të ardhura e investime, ekspertët: Shkak plani jorealist dhe lidhjet klienteliste

Buxheti “pa” të ardhura  e investime, ekspertët: Shkak

Rritja e zbehtë ekonomike si dhe planifikimi i fryrë  kanë krijuar gropën në buxhet ku në 10 muaj mungojnë 11.2 mld në krahasim me planin. Ekspertët deklarojnë se TVSH-ja është zëri që tregon se në vend ka pasur më pak konsum. Ndërkohë që ngrenë si shqetësim mungesën e investimeve.

Motorët e ekonomisë shqiptarë po punojnë nën fuqinë e duhur. Gjatë periudhës janar-tetor në arkën e shtetit janë mbledhur 11.2 mld lekë më pak se plani dhe ndikimin kryesor e ka dhënë TVSH-ja.

Ekspertët e shpjegojnë këtë situatë me planifikimin jorealist si dhe me gjendjen ku ndodhet ekonomia shqiptare.

Adrian Civici deklaron se negativisht ka ndikuar edhe aksioni anti-informalitet që duket se nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

Civici: Së pari, sëmundja jonë e vjetër e planifikimit shumë optimist ose jo realist sa i përket mundësive që ka ekonomia shqiptare dhe të gjithë strukturat e saj. Krahasimi me planin ka vite që çalon pavarësisht se nga njëri vit në tjetrin të ardhurat mund të rriten. Ato janë reflektim i situatës në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare, dinamika që ajo ka.

Për Zef Preçin mbledhja e më pak të ardhurave është ndikuar nga lidhjet klienteliste dhe projektet e pakta në ekonomi.

Preçi: Krizën ekonomike botërore, problemet që shfaq qeverisja te ne, mungesa e prioriteteve dhe destinimin e parave publike në sektorë të pakërkuar, jo prodhues që kanë lidhje me grupe klienteliste etj.

Civici thekson se në ekonominë shqiptare po mungojnë investimet që mbështeten nga buxheti i shtetit.

Civici: Po të shikosh dhe diskutimet që po bëhen për rishikimin e buxhetit të vitit 2019, ato që ne i quajmë gropa apo mosrealizime në buxhet apo bilance makro-ekonomike, apo detyrime për shlyerjen e borxhit të jashtëm në fakt si strehë dhe mundësi rregullimi po shikohet zvogëlimi i investimeve publike.

Sipas Preçit, mungesa e investimeve në vend duket se është rezultat i ndjekjes së politikave të gabuara.

Preçi: Jemi nga vendet më të pasura në Europë sa i takon burimeve të naftës dhe nuk ka një industri përpunuese e cila do të krijonte mundësi për të futur në qarkullim këtë pasuri dhe për ta përdorur në interes të qytetarëve të vendit.

Edhe zëri i investimeve në buxhet është i parealizuar.

Në 10 muaj të vitit, qeveria ka realizuar vetëm gjysmën e investimeve publike, ku nga 87.5 miliardë në total, janë shpenzuar vetëm 47 miliardë lekë.

 

EMISIONET