Pa miratimit të buxhetit 2015 në parim, Partia Demokratike tha se drafti parashikon rritjen e nëntë taksave që do të rëndojnë në xhepin e qytetarëve. Sipas deputetes, Jorida Tabaku, 95% e popullësisë do të preket nga efektet negative të taksave, ndërsa janë favorizuar sipas saj vetëm bizneset pranë qeverisë. Deklarata e plotë e Tabakut Mazhoranca aprovoi buxhetin i cili për vitin e ardhshëm do t’i marrë qytetarëve 460 milionë $ taksa. Buxheti është i ndërtuar në mënyrë të tillë që barra më e rëndë fiskale të bie mbi qytetarët konsumatorë që njësoj si këtë vit do të vuajnë akoma më shumë rënien e konsumit dhe rritjen e çmimeve. E mbi të gjitha do t’u duhet të dëgjojnë nga podiumi mashtrimin se qeveria qenka e shqetësuar, po mendon për ta dhe se ky buxhet do të taksojë më të pasurit. Ky buxhet, nuk mendon për qytetarët sepse nga ky buxhet janë ulur apo hequr taksa mbi disa biznese preferenciale të cilët duke patur mundësinë për të qenë pranë qeverisë kanë mundur që të ndikojnë në uljen e tyre. Plot 15 taksa thotë Kryeministri janë ulur dhe zeruar dhe, e dini sa qytetarë përfitojnë prej kësaj? Zero! Kështu, qeveria vendos të kthejë në prioritet gomat dhe importin e tyre duke ulur taksën ne import por nga ana tjetër rrit ndjeshëm taksën e qarkullimit e cila rëndon direkt mbi qytetarët, duke patur një efekt të plotë prej 240 lekë tek çmimi i karburantit. Qeveria vendos të heqë taksën në import për miellin e grurit, duke dëmtuar prodhimin vendas dhe stimuluar atë nga tregje të dyshimta. Qeveria vendos të heqë TVSH për primet e sigurimit të produkteve të jo-jetës, si prona, ndërkohë që ka dyfishuar taksën e pronës. Pra praktikisht zero veta përfitojnë nga kjo ulje taksash! Shqiptarët do të duhet të paguajnë më shumë për çmimin e energjisë elektrike, ndërkohë që miqve të qeverisë u është hequr tarifa doganore për naftën bruto të importuar nga 10% në 0%, me justifikimin për të ndihmuar një sektor strategjik. Por, pa dhënë asnjë garanci se sa është humbja e pritur nga kjo lëvizje, humbje që sipas kalkulimeve tona shkon nga 3 milion në 20 milion dollarë. Shuma këto që do të paguhen nga xhepat e qytetarëve dhe konsumatorëve. Nga ana tjetër kemi rritje taksash që prek Tatimin mbi të Ardhurat Personale, që do të rritet me 50%, objekt i kësaj takse do të jenë të ardhurat dytësore që gjenerohen nga dividentët, interesat e depozitave, qiranë apo edhe pronësinë ku të gjitha rriten nga 10 në 15 përqind, pra duke marrë nga xhepat e qytetarëve rreth 5 miliardë lekë nga kjo rritje. Taksa e qarkullimit të automjeteve për të dytin vit radhazi rritet duke përfshirë edhe efektin e TVSH-së me 24 lekë për litër duke e rritur me 4 herë në 2 vite nivelin e kësaj takse. Për secilën prej 340 mijë familjeve do të jetë një taksë e re për 2015 për të paktën 1.5 milion lëke të vjetra në vit. Dhe nuk janë vetëm familjet, por edhe fermerët që të gjitha shërbimet do t’i kryejnë me një taksë të rritur më shumë. Janë industritë përpunuese po ashtu që kanë humbur avantazhet konkuruese në rajon, të cilave u vjen një kosto shtesë. Eshtë gjithashtu edhe biznesi në tërësi që do të paguajë një çmim më të rritur. Rritja nga 8.4 lekë që ka qenë, duke përfshirë edhe TVSH, ka shkuar plot në 32.4 lekë me rritjen e re të taksave. Dhe e gjitha kjo është vetëm nga taksa e qarkullimit të automjeteve. Efekti që qeveria programon të marrë prej kësaj takse shtesë në 2015 është 6.7 miliardë Lekë (67 milion dollarë). Por sigurisht që këto taksa kanë efekt të drejtpërdrejtë por nga ana tjetër qeveria ka llogaritur që konsumatorët do të paguajnë më shumë se këtë vit edhe: 9 miliardë e 457 milionë lekë (100 milionë USD) nga TVSH, që është taksa e fshehur në çmimin e mallrave e cila paguhet 100% nga konsumatori, qytetarët, pra ajo pjesë që përbën 95% të shqiptarëve që konsumojnë. E kështu vazhdon me të ardhura shtesë nga akciza, nga taksat nacionale, nga tatitimi mbi fitimi që në total shtojnë barrën fiskale me 460 milionë usd, ose 46 miliardë Lekë, ku 94 përqind paguhet nga konsumatori dhe vetëm 6 përqind nga biznesi. Përmes këtij buxheti, qeveria pretendon se vitin e ardhshëm Produkti i Brendshëm Bruto mund të shkojë rreth 800 milionë $ nga të cilat 460 milion $ do t’ia marrë shqiptarëve nga xhepat e tyre. Shqiptarët, do të dorëzojnë pranë qeverisë 60% të Produktit të Brendshëm Bruto duke pritur që së paku ato të shkojnë në të mirë të shërbimeve komunitare. Por, nuk është e këtij mendimi qeveria, e cila vërtet do të ketë shërbime më të larta por jo në sektorët që qytetarëve i interesojnë. Mazhoranca ka vendosur që të rrisë shpenzimet për luksin e Edi Ramës dhe ministrave të tij me 3 miliardë lekë më shumë ose 9% më shumë se viti i tyre i parë, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për investimet publike që bien nga 4.8% në 4.5% të PBB. Ashtu siç pritej, në buxhetin e ri nuk do të kemi rritje të pagave të buxhetorëve, megjithëse numri i tyre do të rritet, dhe megjithëse çmimet po rriten në masën 6%-8%. Po kështu, pensionet priten që të indeksohen me normën e inflacionit ndonëse janë ende të paqarta efektet e politikës së re të paketës së sigurimeve shoqërore. Me një të rënë të lapsit, qeveria ka vendosur që të lajë duart me familjarët që kanë nevojë për ndihmë ekonomike sepse buxheti i vitit të ardhshëm do të ketë 1.1 miliardë lekë më pak në fondin e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë. Me sa duket, qeveria mendon realisht se ne kemi më pak të varfër në këtë vend. E vetëquajtura ministria e të varfërve të këtij vendi, do të paguajë vetëm 700 lekë si subvencion ndaj familjeve të varfra që do të preken nga rritja me 70% e tarifës së energjisë elektrike. Po të njëjtin fat ka edhe zëri i “planifikimit urban dhe strehimit” që pëson ulje me 814 milionë lekë më pak se sa 2014. Pushteti vendor, si një dashuri e urrejtje e kryeministrit do të pësojë një ulje me 851 milionë lekë nga transfertat e pakushtëzuara mesatarisht 25 deri në 29%. Një praktikë që bie kryekëput ndesh me praktikat e mëparshme, në të cilat transfertat janë rritur dhe nuk kanë rënë, duke i ulur kështu mundësinë pushtetit vendor që të kryejë detyrimet minimale karshi qytetarëve që ai ka për detyrë t’u shërbejë. Shpenzimet do të ulen në masën 763 milionë lekë në sektorin e “Transportit Rrugor”, e kjo ulje do të ndodhë edhe tek financimi i brendshëm, që kryhet me lekët e taksapaguesve, do të ulet me 50 milionë $ krahasuar me vitin 2014.Ndërkohë që, në fushën e arsimit janë 445 milionë lekë më pak për fushën e arsimit bazë (pra nëntë vjeçar) dhe 434 milionë lekë më pak në fushën e arsimit të mesëm krahasuar me vitin 2014. Mazhoranca që premtoi se do të mundësonte shëndetësinë falas, se besonte se shteti duhet të ndihmonte gjithëkënd në shëndetësi, ka vendosur që të ulë shpenzimet në programin e “Kujdesit Dytësor” me 405 milionë lekë. Në këtë buxhet zëri i shpenzimeve shënon një rënie me 42% (4.680 milionë lekë më pak) se sa viti 2014 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit duke sigluar më pak shpenzime në shërbim të qytetarëve dhe më shumë luks. Por edhe luksi nuk është për të gjithë sepse qeveria ka vendosur që luksin ta gëzojnë vetëm Kuvendi dhe Kryeministria ndërkohë që fondi për Presidencën mbetet i pandryshuar. Qeveria kështu ka vendosur që të shtrydhë cdo pikë nga të ardhurat e qytetarëve dhe bizneseve që nuk janë pranë odës kryeministrore, gjithashtu ka vendosur përmes buxhetit të vitit që vjen se edhe pse do t’u marrë 460 milionë $ taksa të drejtë për drejta dhe 390 milionë $ nga konsumi nuk ka ndërmend të shpenzojë asnjë shumë në të mirë publike. Kjo rritje taksash, duke përkëdhelur disa e duke keqtrajtuar të tjerë, shoqëruar me një ulje të shpenzimeve vetëm për pjesën e nevojtarëve do t’ua bëjë jetën gjithnjë e më të vështirë qytetarëve. Qeveria parashikon që vitin e ardhshëm të paguaje plot 8.8 miliardë lekë me shumë interesa per borxhin sesa viti 2014 (ose 20.6% me shume), ku cdo shqiptar, femije apo pensionist, do te paguaje 30 dollare me shume sesa paguan aktualisht sot per borxhet e shfrenuara që merr qeveria.Deficiti planifikohet në masën 60.5 miliardë lekë, ose 4.1 % e GDP-se, ku huamarrja e brendshme planifikohet në masën 42.1 miliarde lekë, vlerë mjaft e lartë dhe që ndikon negativisht ne kreditimin e bizneseve dhe individeve. Ky buxhet është shënjuesi i kthesës për ekonominë tonë, u shprehën anëtarët e mazhorancës duke gënjyer qytetarët e këtij vendi. Sepse ky buxhet është shënjuesi i një thellimi të krizës ku qytetarët do të vuajnë pasojat e një politike klienteliste dhe shkatërruese të konsumit. Buxheti i cili shtrydh qytetarin dhe duke i hapur portat një recensioni ekonomik, ku vetëm qeveria është e lumtur me shpenzimet e saj luksoze. Nëse mendoni se keni parë gjithçka, mos u tutni se ende nuk kemi parë akoma asgjë!

/Ora News.tv/