Edhe për 2020 në Shqipëri nuk do të ketë asnjë projekt të ri në Infranstrukturë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë prezantoi sot projektbuxhetin në Konferencën e Kryetarëve të Parlamentit ku theksoi se në vemëndje do të jetë mbyllja e projekteve që janë në proces.

Denaj: Për periudhën 2020-2022 synohet kompletimi i akseve rrugore nacionale si Rruga e Arbrit, Milot-Balldre, Orikum-Dukat. Kompletimi i pjesës dërrmuese të segmenteve rrugore në vazhdim me financim të brendshëm brenda 2022 si Kardhiq-Delvinë, Elbasan-Banjë.

Por në pikëpyetje mbetet fati i rritjes së pagave për vitin tjetër. Edhe pse në buxhet nuk ka fonde për politika të reja pagash, Ministrja deklaroi se do të ketë rritje.

Denaj: Faktorizohen gjithashtu edhe efektet e plota të politikës së rritjes së pagave për sektorin e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes, sistemit penitenciar dhe punonjësit e përfaqësive diplomatike.

Gjatë këtij viti të ardhurat në buxhet kanë pasur një mosrealizim me rreth 2.2 %, fakt ky që u pranua edhe nga vetë Ministrja.

Denaj: Ka pasur një mungesë të të ardhurave prej rreth 2.2% në krahasim me planin e periudhës.

Për vitin e ardhshëm Ministrja duket se ka parashikime shumë optimiste për rritjen ekonomike, pavarësisht se institucionet ndërkombëtare kanë ulur pritshmëritë.

Në tremujorin e dytë rritja ekonomike ka qenë vetëm 2.31%, ndërsa si 6 mujor llogaritet të jetë 2.36% ose sa gjysma e vitit të kaluar, e cila ishte më e larta e dekadës së fundit me 4.06%.

/Ora News.tv/