Brazil, bllokohen 617 kg kokainë, pakot me logon “FK Elbasani”

Brazil, bllokohen 617 kg kokainë, pakot me logon  “FK Elbasani”

Një ngarkesë prej 617 kilogramë kokainë është sekuestruar nga policia braziliane e cila publikoi fotot e pakove ku ishte stampuar logoja e klubit shqiptar të futbollit të Elbasanit. Lënda narkotike ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë të një kamioni ndërsa gjatë sekuestrimit u arrestuan edhe katër persona. Një zyrtar i policisë tha se vlera e drogës ishte të paktën 9 milionë dollarë, ndërsa destinacioni i saj ishte tregu europian.

Policia braziliane ka sekuestruar një ngarkesë prej 617 kilogramë kokainë e cila besohet se do të trafikohej në drejtim të Shqipërisë.

Aksioni është zhvilluar në datën 1 shtator ndërsa policia ka publikuar fotot e pakove me drogë ku në mënyrë të pashpjegueshme në to është vendosur logoja e klubit të futbollit Elbasani.

Nuk dihet ende nëse logoja e klubit shqiptar të futbollit është bërë në mënyrë abusive nga trafikantët për të humbur gjurmët apo ka ndonjë domethënie për destinacionin e drogës.

Mediat braziliane kanë raportuar se lënda narkotike u kap nga policia federale dhe ajo kufitare ndërsa vlera e saj në treg arrin në 9 milionë dollarë.

Sipas policisë destinacioni i lëndës narkotike ka qenë tregu europian, ndërsa transportimi i saj po bëhej e fshehur në dyshemenë e dyfishtë të një kamioni.

Në momentin e ndërhyrjes së policisë në një zonë rurale ku u ndalua kamioni janë vënë në pranga katër persona.

Ata po drejtonin përveç makinës me kokainë edhe një kamion bagëtish, dhe dy automjete Fiat Uno që shërbenin për të shpërqendruar vëmendjen nga mjeti ku ishte fshehur droga.

Koloneli José Nildo ka thënë se "kjo është sasia më e madhe e drogës së kapur këtë vit në Brazil".

Sipas tij, lënda narkotike ishte e një pastërtie të lartë duke e bërë vlerën e saj në treg të konsiderueshme.

Pas arrestimit shoferi i kamionit tha se ai do të merrte 10 mijë dollarë për transportin e drogës.

Në prill të këtij viti policia rumune sekuestroi 131 pako kokainë në të cilat ishin stampuar inicialet e futbollistit portugez CR7.

EMISIONET