BOOM: Toka që futi në konflikt dy familje dhe dy bashki

Në Shqipëri problemet me pronat janë të shumta, madje në shumë raste kanë futur në konflikt edhe familjet. I tillë është edhe rasti që emisioni BOOM trajtoi në puntatën e sotme.

Bëhet fjalë për konfliktin mes dy familjave Kurteshi dhe Hoxha.

Medi Kurteshi nga Patosi, i cili i është drejtuar emisionit BOOM thotë se ka një tokë, që e zotëron prej 100 vjetesh. Ai dikur ka jetuar aty, por tani e ka kthyer në ullishte. Por papritur në vitin 2016 vjen një tjetër familje, nga Fieri që pretendon se toka është e saj.

Konflikti nuk është vetëm mes dy familjeje, asaj Kurteshi dhe Hoxha por është edhe më i madh, është konflikt për kufijtë administrativë.

Fshati Griz Lënginaz ku është toka e denoncuesit është pjesë e bashkisë Patos, kurse fshatari që e pretendon nga 2016 është nga fshati Portëz, që i përket bashkisë Fier. Dy fshatrat mes tyre i ndan një rrugë e vjetër. Familja Hoxha në vitin 2016 ka çuar në prokurori familjen Kurteshi, dhe prokuroria i ka nxjerrë të falsifikuara dokumentat e zotit Kurteshi.

Ndërsa palën tjetër, që ka 2 AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi), një prej të cilave nuk ka as numër regjistri, as datë, as firmat e antarëve, as vulë, e ka nxjerrë të rregullt. Por një provë e fortë është se emri që prokuroria ka nxjerrë si pronar të kësaj tokës, nuk egziston fare në regjistrin kombëtar të gjendjes civile.

Denoncimi i Medi Kurteshi: Ne jetojmë në Patos dhe atje kemi jetuar deri në ditët e sotme. Quhet fshati Grizë-Lënginas. Aty jetojmë prej më shumë se 100 vjet. Kemi jetuar në parcelën 53, që i përket zonës kadastrale me numër 24/11. Në vitin 1984 ne jemi larguar nga kjo parcelë 500 metra diku më tutje siç quhej në planimetri dhe atje kemi jetuar deri në ditët e sotme. Në vitin 90 komisionerët e ndarjes së tokës të ligjit 7501, na vendosën po prapë në këtë parcelë që i përket fshatit Grizë -Lënginas, Bashkia Patos. U nda toka nga ligji 7501, e kemi patur në përdorim, e kemi punuar, e kemi mbjellë dhe sot aktualisht toka është ullishte. Kemi shlyer taksat, detyrimet ndaj shtetit. Zotëria në fjalë ka ardhur në vitin 1992 dhe nuk e di si mund ta ketë përfituar këtë tokë, kur zotëria përbëhet prej 5 antarësh.Tokën sipas ligjit 7501 e ka marrë, e gëzon, nuk ka asnjë lloj pretendimi për tokën që ka marrë, por zotëria tani kërkon tokë në Bashkinë e Patosit.  Zotëria tani na nxjerr 2 AMTP, (AMTP quhet akti i marrjes së tokës në pronësi).Një AMPT që është nga ana figurative me firma me vula me data, kurse një tjetër është krejtësisht e bardhë, pa firmë, pa vulë, pa datë. Prokuroria në hetimet e veta, madje e ka theksuar që janë hetimet e thelluara thotë që formulari 6 dhe AMTP ime janë fallso, gjë që nuk është ashtu. Çuditërisht kjo me 26 000 metër që është krejtësisht një fletë e bardhë, ata e kanë marrë për të vlefshme. Pala tjetër e pretendon të marrë të gjithë këtë sipërfaqe që ne kemi. Sipas prokurorisë prona e kësaj toke u përket Bogdanëve. Bogdanë nuk ka as në fshat, as në bashkinë Patos. Kjo vërtetohet nga gjendja civile, e cila shprehet qartë dhe pastër që këta emra, biles janë katër emra në formularin 6 që nuk egzistojnë banorët të fshatit tonë Griz Lënginas, madje nuk egzistojnë banorë as të Bashkisë Patos, tre emra madje nuk gjenden as në regjistrin kombëtar. Këta janë katër emra, që kanë përfituar nga 3000 metra katror dhe del fiks me sipërfaqen që pretendon kundërshtari. Hajduti tani na çoi në gjykatë. Aty humbas gjyqin pas disa seancave. Mendojmë se gjykata e apelit Vlorë, duhet ta marrë problemin tim më në themel, të bëj një arsyetim më të saktë dhe të japi një vendim që ne e presim. Faleminderit Ora News, presidentit të Ora News z.Ylli Ndroqi që më ndihmuat në problematikën time.

Ish kryetari i komisionit të ndarjes së tokave Hysen Shpërdheja

Emisioni Boom kontaktoi dhe me kryetarin e ndarjes së tokës në fshatin Grizë Lëngiznas, i cili ka hedhur edhe firmën në aktin e marrjes së tokës në pronësi nga familja Kurteshi.

Gazetarja: Në atë kohë kjo tokë kujt ju dha?

Hysen Shpërdheja: Kjo tokë ju dha Medi Kurteshit dhe familjes së tij sipas ligjit për ndarjen e tokës dhe kjo tokë ka qenë në administrimin e Bashkisë Patos. Ja rruga ndarëse që ndan fshatin Portës me fshatin Grizë -Lënginas. Këtu ka dallavere mesa kuptoj unë.Nuk e di si po bëhen këto që të futet ai nga Portëza, të vij të marrë tokën e fshatit Grizë.

Gazetarja: Ju nuk keni firmosur për të?

Hysen Shpërdheja: Jo absolutisht, as nuk e njohim fare se kush është ky person.

Gazetarja: Në dijeninë time ju jeni thirrur edhe në prokurori për këtë çështje, çfarë ju kanë kërkuar si informacion atje?

Hysen Shpërdheja: Ja kjo, kujt i takon toka? Bile ne i kemi thënë pyet një bari me dele, thuaj ku ndan Griza me Portëzën, dhe do të thotë ai.

Gazetarja: Vetë denoncuesit i thonë se këto dokumenta janë të falsifikuara, ju jeni një ndër firmëtarët e aktit të marrjes së tokës në pronësi.

Hysen Shpërdheja: Këtu nuk ka falsifikim, këto firma që janë hedhur nëpër tapitë janë firma origjinale, nuk janë firma me dhunë siç tha ai oficeri i policisë gjyqësore, që kjo firma jote është hedhur me dhunë. Unë e kam hedhur firmën sipas rregullave.

Teksa zoti Shpërdheja ka deklaruar jo vetëm në Prokurori, por edhe përpara gazetarëve të Boom se firma është e tij në këtë akt të ndarjes së tokës në pronësi, Prokuroria ka një tjetër version. Në akt ekspertimin teknik - grafik prokuroria shkruan: Nënshkrimi apo firma në emër të Hysen Shpërdheja, shfaqet tërësisht e ndryshme nga emër mbiemër. Emri mbiemri Hysen Shpërdheja paraqet karakteristika të përbashkëta grafike me shkrimet që kanë plotësuar tabelën si dhe disa rubrika. Firma në fjalë paraqet element grafik diskriminues, ndalesa të pamotiviaura, element grafik parazitar, dridhje të mjetit shkrues presion, kontrast të lartë. 

Denoncuesi: Një njeri që thotë është firma dhe vula ime, dhe kam bërë detyrën në ato vite, tani del një firmë e diskriminuar. E çuditshme!

Gazetarja: Ai ka dëshmuar si dëshmitarë në Prokurori?

Denoncuesi: Po, ai ka ardhur në prokurori dhe ka dëshmuar.

Konflikti nuk është vetëm mes dy familjeje, asaj Kurteshi dhe Hoxha por është edhe më i madh, është konflikt për kufijtë administrativë. Nga njëra anë Njësia Administrative Portëz, banor i të cilit është z.Elmaz Hoxha, përfshihet në Bashkinë Fier, ndërsa fshati Grizë - Lënginaz ku bën pjesë familja Kurteshi është pjesë e bashkisë së Patosit. Tashmë këto dy familje janë në konflikt , por nga ky konflikt do të mësojmë se administratorët nuk njohin mirë kufijtë e tyre territorial.

Rajmonda Balilaj, Kryetare Bashkisë Patos: Nga ana jonë është trajtuar procesi i rregullt i Bashkisë Patos, pra qytetari në bazë të vendimit 994 është pajisur me gjithë procedurën që i dërgohet Hipotekës për regjistrim të sipërfaqes së tokës sipas aktit të marrjes, sipas formularit nr. 6, dhe kufiri i pretenduar nga Bashkia jonë që është ai kufij që ne kemi trajtuar dhe rastin. Gjithë praktika është nënshkruar nga ana jonë, është përgatitur, dhe e quajmë të rregullt.

Gazetarja: Po si do ta mbroni këtë dhe territorin tuaj?

Rajmonda Balilaj, Kryetare Bashkisë Patos: Prandaj egzistojnë organet gjyqësore, që të vendosin mbi palët. Ajo është prona jonë përderisa kemi ndjekur këtë procedurë. Është kërkuar nga Bashkia e Fierit në fakt një përfaqësim komisioni tashmë edhe nga Prefektuara që të shkojmë të bëjmë verifikimin në terren të kufirit ndarës midis dy njësive, por duke qenë se problemi ka qenë pjesë e trajtimit të gjykatës është lënë pezull për të parë se si do ta trajtoi vetë gjykata dhe fakti që është midis dy njësive vendore, padyshim që një vendimmarrje e gjykatës është vendimmarrja më e drejtë. Ne si njësi, ne do ta vazhdojmë procesin, po sa fuqi ka procesverbali apo akti që do të mbajmë ne midis dy njësive, nëse kemi të bëjmë me një vendim të një organi vendimmarrës, që në këtë moment është gjakata.

Gazetarja: Pra do lejohet gjykata të ndryshoj kufijtë administrativë?

Rajmonda Balilaj, Kryetare Bashkisë Patos: Po prandaj ka disa shkallë, jo ndoshta do të rivendos të drejtën e kufijëvë.

Gazetarja e BOOM pyeti edhe administratorin e njësisë administrative Portës, Administratori i Njësisë Administrative Portës, Agim Brahimllari, i cili tha se atje është Griz-Lënginaz, nuk është Portëz, pra është Patos nuk është Fier. Ai gjithashtu thotë se AMTP me 26 000 metër katrorë, nuk është e rregullt.

Gazetarja: Aktualisht, ku i keni kufijtë. Pra, i keni edhe këtu ku shtrihet kjo pronë, matanë rrugës ku është fshati Grizë-Lënginas?

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: Jo, atje ku shtrihet prona e këtij, nuk është jona. Është e Bashkisë Patos. Tani pretendon ai tjetri që ka ardhur në Portëz, (Bashkia Fier) që nuk është banor i Portëzës, po ka ardhur në 1991 aty. Tani zotëria pretendon që e ka dhe tokën e këtija.

Gazetarja: Si mund ta ketë ai atë?

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: Nuk e di unë tani, s`është pjesa ime.

Gazetarja: A e ka ndarë komisioni i Portëzës?

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: Tani zotëria që ka marrë tokë në Portëz, është trajtuar. Tokat janë ndarë në tetor 1991 për kooperativën dhe tetor 1992 për fermat.

Gazetarja: Si mund të marri ai që është banor i njësisë administrative tuaj, një pronë në një njësi tjetër administrative? Kjo është pyetja ime.

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: Atë s`e di unë.

Gazetarja: Jo, mund të marri, nga praktika juaj, mund të marri apo jo?

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: Ligjërisht nuk i takon. Prandaj ka vajtur procesi në proces gjyqi.Tani kur është mbushur formulari 6, nuk është pjesa ime, tani kupton ça po të them unë? Ka marrë tokën ai me formularin 6, kjo është baza e qytetarit që ka marrë tokën nga komisioni. Komisioni tani ka qenë i aftë, nuk ka qenë i aftë, nuk e di unë. I ka dhënë tokën atij, numri i parcelës kaq e aq, mbase ka kaluar dhe kufirin, nga Portëza në Patos. Pse kanë lindur këto probleme po venë në gjyq ata për ta zgjidhur.

Gazetarja: Vetëm këtë të taksave, ta shikonim, nëse ka mundësi?

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: Pjesa që pretendon zotëria është në Bashkinë Patos .Do vesh te zyra e taksave Patos do shikosh.

Gazetarja: Aty s`ka paguar gjë ai, atje ka paguar ky për atë. Dhe s`mund të paguajnë të dy njëkohësisht.

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: Këtu s`ka as firmë të marrësit, as...vetëm një kryeplak, as tjetri këtu.

Gazetarja: Duhet të jetë kështu, prandaj ta tregova?

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: Po jo moj duhet të firmosi personi.Ti je personi që ke marrë këtë?

Gazetarja: Kush duhet të firmoste tjetër këtu? Se këtu kemi vetëm firmën e këtij zotërisë, Elmaz Hoxhës dhe kemi dhe të këtij, për komisionin e tokës, kryetari.

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: Është dhe një tjetër çfarë thotë, përfaqësuesi i rrethit...po emër, mbiemër, kadastra, vulë, firmë.

Gazetarja: Përfaqësuesi i rrethit Naim Malaj, firmë nuk ka.

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: E po ça të them unë tani, se di ku...

Gazetarja: Duhet të jetë me firmë?

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: Po duhet të jetë me vulë e me firmë, jo me firmë .

Gazetarja: Këtu duhet të jetë data besoj. Duhet të jetë dhe numri i regjistrit të aktit.

Administratori i Njësisë Administrative Portës, Fier: Po, po, patjetër. Pastaj ka dhe një diçka këtu, të sqarova dhe herën e parë. Ky dokument që quhet tip formulari 6, që është ndarë toka është dhe një libër aty ngastrash tek ne, nga njësia kalon tek kadastra e rrethit, nga kadastra e rrethit kalon tek hipoteka.Nga hipoteka është dhe Zyra e Regjistrimit të Pronave në Tiranë.Nuk është vetëm një dokument edhe kaloi.

Duke qenë se në këtë çështje janë të përfshira shumë institucione, BOOM iu drejtua edhe Hipotekës së Fierit, e cila ka një tjetër version.

Hipoteka Fier thotë se ajo tokë në bazë të hartës kadastrale të ndryshuar ndodhet në fshatin Portëz, bashkia Fier, jo në fshatin Griz Lënginaz, bashkia Patos. Mirëpo denoncuesi disponon dhe dokumenta të vjetra të Hipotekës, që thonë të kundërtën e kësaj që hipoteka thotë sot.

Medi Kurteshi: Në Hipoteke neve këtë pronë e kemi kërkuar me dokumetat e vjetra dhe hipoteka shprehet që dokumentacioni sipas specialistëve të hipotekës është i saktë , planvendosja është e saktë, zona kadastrale i përket Grizë-Lënginaz 24/ 11. Çuditërisht pas 10 vjetësh tani e njëjta hipotekë thotë jo, zona kadastrale tani i përket Portzës, me numër kadastral 30/31.

Punonjësi i hipotekës: Në bazë të hartës kadastrale që zyra e regjistrimit disponon prona që pretendohet nga z.Kurteshi ndodhet në pjesën e bashkisë Fier, në fshatin Portëz. Dosja e zotërisë ka ardhur e konfirmuar nga Bashkia Patos , në pjesën e fshatit Portëz, por me shënimin sikur ishte pjesë e njësisë Patos dhe fshatit Grizë -Lënginaz. Nga ana e zyrës në momentin që është konstatuar kjo gjë , dosja i është kthyer Bashkisë Patos me një shkresë përcjellëse dhe i është komunikuar që pjesa e sipërfaqes së tokës pretenduar nga z.Kurteshi bie realisht në pjesën e fshatit Portës, dhe si e tillë dosja duhet të vinte e konfirmuar nga bashkia e cila e ka pjesë te territorit të saj, pra nga bashkia e Fierit. Normalisht dy bashkitë duhet të ishin rakorduar me njëra-tjetrën dhe të kishin dalë në një zgjidhje dhe në një konfirmim zyrtar.E vetmja zgjidhje që parashikon ligji kur dy palë janë në konflikt, është ose marrëveshje ose proces gjyqësor. Ndryshimi i zonës kadastrale është një anë teknike e prodhimit të dokumentacionit tekniko - ligjor për vendndodhjen e pronës, por sipas ligjit sot nëse prona vjen e konfirmuar nga bashkia përkatëse dhe i plotëson të gjitha kushtet ligjore, atëherë prona mund të regjistrohet në emër të zotërisë dhe në një zonë kadastrale tjetër, pasi gjatë viteve zona kadastrale ka pasur një ndryshim, i ligjëruar.


EMISIONET