Emisioni investigativ BOOM në RTV Ora solli këtë puntatë shqetësimin e disa psikologëve për zhvillimin e provimit të shtetit dhe shkeljes së ligjit nr. 40 të urdhrit për psikologun.

Ky ligj është miratuar në vitin 2016 ku parashikon nënshtrimin e një provimi shtetëror për licencimin e psikologëve për të ushtruar profesionin e tyre.

Provimi për një kategori psikologësh duhej kryer brenda 3 vitesh nga miratimi i tij ku ende nuk është zhvilluar.

Ligji nr.40 i vitit 2016 për urdhrin e psikologut në republikën e Shqipërisë në nenin 7,  kriteret e anëtarësisë thotë:

1.       Asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e psikologut, në sistemin publik apo privat në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i Urdhrit të Psikologut dhe pa qenë i pajisur me licencën për ushtrimin individual të profesionit të lëshuar nga ky organizëm.

Neni 23 i po këtij ligji thotë:

1. Personat, të cilët në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë përfunduar dy cikle studimi në psikologji, sipas shkronjës “b”, të nenit 6, të këtij ligji, ose ekuivalentë me të, regjistrohen në Urdhrin e Psikologut.

2. Personat, të cilët në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtrojnë profesionin e psikologut dhe kanë përfunduar dy cikle studimi në psikologji, dhe që kanë përvojë 5-vjeçare, pa ndërprerje nga puna, në ushtrimin e profesionit të psikologut, regjistrohen në Urdhrin e Psikologut dhe duhet të kryejnë provimin e shtetit, brenda tre vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Ligji është miratuar në datën 14.4.2016 dhe është botuar në fletoren zyrtare numër 77 , më datë 9 maj 2016. Dy javë pas publikimit në fletoren zyrtare ky ligj hyn menjëherë në fuqi.

Ende pas 3 vitesh nga hyrja në fuqi e këtij ligji rezulton se ky provim shteti nuk po realizohet, duke penguar kështu marrjen e licencës për ushtrimin e profesionit, për një kategori psikologësh, kusht ky i vendosur nga ligji.

Po kë ngarkon ligji për kryerjen e provimit të shtetit për psikologët? Sipas ligjit për profesionet e rregulluara, ashtu si mësuesit, mjekët, infermierët, edhe psikologu bën pjesë tek profesionet e rregulluara dhe një nga kriteret për të ushtruar profesionin është dhe provimi i shtetit.

Ligji thotë se ky provim organizohet dhe zhvillohet nga ministria që mbulon fushën e arsimit, në bashkëpunim me autoritetin kompetent përkatës. Pra nga ministria e Arsimit në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Urdhrit të Psikologut.

Ligji nr.10 171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” neni 5 përcakton profesionet e rregulluar ku mes tyre është dhe profesioni i psikologut.

Profesionet e rregulluara

1. Profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë janë profesioni i:

a) mjekut;

b) stomatologut;

c) farmacistit;

ç) infermierit;

d) mamisë;

dh) fizioterapistit;

e) veterinerit;

 ë) arkitektit;

f) inxhinierit;

g) mësuesit;

 gj) punonjësi social

h) psikologu. 

Tek Kriteret për ushtrimin e një profesioni të rregulluar Neni 8 thuhet:

1. Për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, çdo kandidat duhet: a) të kryejë praktikën profesionale; b) të kryejë provimin e shtetit; c) të regjistrohet në UP-në përkatëse.


Neni 9

Përjashtohet nga detyrimi për të dhënë provimin e shtetit: 

a) profesionisti që, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtron ose ka ushtruar një profesion të rregulluar; 

b) profesionisti, i cili fiton të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar jashtë Republikës së Shqipërisë, në përputhje me përcaktimet e Këshillit të Ministrave.

Neni 10

Organizimi i provimit të shtetit:

Pika 1. Provimi i shtetit organizohet dhe zhvillohet nga ministria që mbulon fushën e arsimit, në bashkëpunim me autoritetin kompetent përkatës.

Pika 7. Ministri që mbulon fushën e arsimit përcakton rregullat për funksionimin e Komisionit të Provimit të Shtetit, shpërblimin e anëtarëve të tij, si dhe procedurat dhe mënyrën e zhvillimit të provimit të shtetit.

Fillimisht gazetarja e emisionit BOOM ju drejtua Urdhrit të Psikologut për ta pyetur pse është shkelur afati tre vjeçar për dhënien e provimit të shtetit, e përcaktuar kjo në nenin 23 të ligjit 40/2016 për Urdhrin e Psikologëve në Republikën e Shqipërisë.

Sipas tij pritet dalja e një vendimi të këshillit të ministrave  nga ana e ministrisë së arsimit për realizimin e këtij provimi.

Juristi i urdhrit të psikologëve

Igli Çutra: "Shqetësimi i këtij grupi të psikologëve është edhe shqetësimi ynë institucional. Një psikolog i cili ka përfunduar dy cikle të studimit në psikologji duhet të kryej një vit praktikën profesionale, provimin e shtetit , duhet regjistruar në urdhër dhe mund të fitoj licensën profesionale. Aktualisht ne kemi në bazë të një marrëveshje me ministrinë e Shëndetësisë dhe mbrojtjes Sociale afërsisht 40 psikologë, të cilët janë përjashtuar për shkak të ushtrimit të profesionit pas ligjit, janë përjashtuar nga kryerja e praktikës profesionale dhe presin të kryejnë provimin e shtetit në mënyrë që të licensohen. 

Është menduar të përjashtohen për arsye se këto e provojnë që kanë një eksperiencë pune. Ndërkohë kategoria e atyre që kanë mbaruar pas ligjit pas 2016 në bazë të ligjit për profesionet e rregulluara duhe të ndjekin këtë rrugë: Kryerjen e stazhit profesional 1 - vjeçar dhe provimin e shtetit.

Lidhur me provimin e shtetit, sikurse ju thatë referuar nenit 23 të ligjit 40/2016 ajo kategori e psikologëve është e licensuar pasi kanë pasur ushtrim profesioni para ligjit. Ndonëse ky është shqyrtuar nga komisioni i licensimit që funksionon pranë urdhrit të psikologut dhe kush ka pasur dokumentacion të rregullt është licensuar.

 Me urdhrin e datës 31.7 u vendos të ngrihet një komision që do të mbikëqyr dhe vlerësojë të gjithë praktikat profesionale, gjë që besoj do të ndodhë këtë muaj dhe pas vlerësimit të praktikave ne besoj jemi në fazën përmbyllëse me ministrinë e Arsimit për provimin e shtetit. Aktualisht me Ministrinë e Arsimit nga komunikimet që kemi pasur zyrtarisht ato po shohin pjesën e hartimit të një vkm-je për ndarjen e nënspecialistëve të profilit të psikologjisë që do të thotë është një parakusht i domosdoshëm për hartimin dhe organizimin e provimit të shtetit, nga ana e Ministrisë së Arsimit në bashkëpunim me Urdhrin e Psikologut".           

Për të marrë një datë se kur do të kryhet provimi i shtetit psikologët, BOOM iu drejtua Ministrisë së Arsimit, pasi ligji për profesionet e rregulluara për organizimin e këtij provimi i ngarkohet këtij institucioni.

 Përgjigja ishte kjo :

1. Provimit i shtetit në Profesionin e Rregulluar të Psikologut është i kushtëzuar nga: kërkesat e ligjit; organizimi dhe funksionimi i Urdhrit të Psikologut; aktet nënligjore që burojnë nga ky kuadër ligjor dhe që përcaktojnë listën e nënspecialiteteve dhe krijimin e komisioneve përkatëse të provimit të shtetit për secilin prej nënspecialiteteve.

 2.       Përcaktimi i listës së nënspecialiteteve të këtij profesioni ka qenë një proces i gjatë diskutimesh tekniko-profesionale, konsultash, analizash të programeve të studimit të dy cikleve në Psikologji, dhe të modeleve bashkëkohore të rajonit dhe më gjerë, në të cilat janë përfshirë disa institucione, universitete, si dhe ekspertë të kësaj fushe.

Licencimi pritet të finalizohet në fillim të 2020-ës.

Ministria e Arsimit deklaroi se i gjithë procesi i licensimit ku përfshihet dhe zhvillimi i provimit të shtetit do të bëhet brenda vitit 2020.

Afati ligjor 3 -vjeçar që përcaktonte ligji është shkelur, pasi ku provim duhet të ishte dhënë brenda muajit maj 2019, por shpresojmë që të zgjidhet.


/Ora News.tv/