Emisioni investigativ "BOOM" në Rtv Ora solli mbrëmjen e sotme denoncimin e Islam Majacit,  cili banon në Fier. Ai pretendon se shteti i ka marrë padrejtësisht pronën që i takon me ligj dhe ia ka dhënë një firme koreano-jugore.

Ishte pikërisht qershori i vitit 2019, kur kryeministri Rama i uroi mirëseardhjen kësaj kompanie, e njohur për prodhimin e elementëve elektrik  të automjeteve.                

Islam Majaci: Këtë e kam pronën e prindërve të cilën e sekuestroi shteti në vitin 1970, kam dhe dokumentat. Më pas këtu u ndërtua ‘Ndërmarja e tubave Fier’. Me ardhjen e demokracisë iu drejtova Agjencisë së Kthimit dhe Konpensimit të Pronave, që ma njohu gjithashtu. Me vendim gjykate unë kam të drejtën që të më jepet çdo sipërfaqe e lirë, njëkohësisht shteti më njeh të drejtën e parablerjes së objekteve. U çudita kur pashë këtu kryeministrin që pronën time ia dha firmës koreane pa me pyetur mua dhe bashkëpronarët e tjerë që jemi këtu. Një pjesë të pronës ma ka kthyer edhe përmbarimi, por  une aty nuk futem dot. Ditën që Rama ishte këtu, policët u bënë gardh dhe nuk më lanë që ta takoja. Kjo është vjedhje që po na bëhet.


Pra siç thotë zoti Majaci, prona është marrë nga shteti në vitin 1970, por pas ndryshimit të sistemit gjykata i ka njohur të drejtën e pronësisë bashkëpronarëve. Sipas vendimit të gjykatës, ish- pronarëve duhet ti kthehen sipërfaqet e lira dhe  kanë të drejtën e parablerjes për objektet shtetërore të ndërtuara aty.  

Po çfarë thotë ligji?

"Ligji Nr.9235, datë 29.7.2004 për kthimin dhe kompensimin e pronës thotë: "Për pronat e paluajtshme të zëna me objekte shtetërore, subjektet e shpronësuara kanë të drejtën e parablerjes mbi këto objekte kur ato të privatizohen. E drejta e parablerjes regjistrohet në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore për të drejtën e parablerjes në privatizimin e objekteve.  Subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të heqin dorë nga e drejta e parablerjes përkundrejt kompensimit, sipas nenit 11 të këtij ligji".


Pra shteti nuk mund ti jepte këtë pronë një  firme të huaj pa  arritur  një marrëveshje me bashkëpronarët , ose pa i konpensuar fillimisht. Te kjo pronë sipas dokumentit hipotekor citohet se ‘Rregjistrohet e drejta e parablerjes’. Ndërkohë me një të rënë të lapsit del një VKM  dhe e kalon këtë pronë në administrimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.  

Sikundër dhe tregoi për "BOOM", Islam Majaci, ditën që kryeministri ka shkuar  në Fier, bashkëpronarët  kanë tentuar ta takojnë, por nuk janë lejuar të futen brenda.

Më pas kanë kontaktuar zbatuesit e projektit.

Qytetari-Të kam paraqitur edhe dokumentacionin

Zbatuesi i projektit- Ku e ke paraqitur atë?

Qytetari- Ia dhashë këtij zotërisë

Punonjësi – Mua, mua.

Qytetari-T’ia japi Edi Ramës në dorë që vjen nesër.

Punonjësi- Te Edi Rama nuk vemi dot ne por…

Zbatuesi i projektit- Po ti ç’do ti, pse i merr përsipër? Thirr  o’vëlla Koreanin

Punonjësi- Ia kam çuar. Koreanit ia kam bërë me email të gjitha.

Zbatuesi i projektit- Zotëri shqip po ta them se në këtë mes hyn qeveria. E kanë në mend ta bëjnë këtë punë, mund të vijë edhe policia edhe RENEA, ku di gjë unë si do ta bëjnë puna e atyre.


Qytetari-Me atë Kushtetutën tonë..

Zbatuesi i projektit- Po lëre tashi.

Qytetari-Prona është e shenjtë o’burr.

Zbatuesi i projektit- Me ner me thon është Kushtetutë.



/Ora News.tv/