Komedia më e pëlqyer nga publiku “Boeing Boeing” me mbi 120 shfaqje me salla të tejmbushura, rikthehet për të disatën herë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Për vetë aktorët është privilegj dhe kënaqësi që shfaqja “Boeing Boeing” po thyen rekorde shikueshmërie dhe vazhdon të pëlqehet e të kërkohet nga publiku.

Rudina Dembacaj: Kemi një fat shumë të madh dhe me kalimin e viteve do të kuptojmë që kemi thyer një rekord të mrekullueshëm. Ka qenë i njëjtë dhe në rritje sepse ne nuk kemi një natë shfaqje pa karrige shtesë.

Për aktorin Gentian Zenelaj, përgjatë gjithë eksperiencës së tij si aktor, kjo ka qenë hera e parë që është ndeshur me një interesim kaq të madh ndaj një shfaqje komike.

Gentian Zenelaj: Kemi akoma rekorde për të thyer. Jam i lumtur që publiku po vjen për ta parë për të disatën herë. Qenka një mrekulli e jashtëzakonshme që të vësh një shfaqje e cila thyen çdolloj pritshmërie në repertor. Ishte hera e parë në karrierën time prej 15 vitesh që përjetoj emocione të tilla.

Ndër të tjera ai shprehet se Shqiptarët duke kaluar një peiudhë jo shumë të qetë, kanë nevojë për humor dhe të qeshura pafund, ndoshta arsye që ka ndikuar në rritjen e numrit të audincës ndaj shfaqjes “Boeing Boeing”

Gentian Zenelaj: Besoj që po jetojmë në epokën e komedisë, ndoshta për shkak të një situate gri që na rrethon, politika, situata ekonomike që ka Shqipëria. Por ne do të vazhdojmë të japim komedi.

Komedia “Boing Boing” me Regji të Kiço Londos, do vazhdojë të jepet në skenën Eksperimental tek ArTurbina edhe në datat 14, 15, 16, 17, 18 dhe 19 janar në orën 19:00.

/Ora News.tv/