Banorët e Astirit bllokuan edhe këtë pasdite për më shumë se një orë rrugën tek Unaza e Re.

Në mbështetje të tyre ishte dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputetë të tjerë të opozitës.

Basha, e akuzoi sërish kryeministrin Rama për vjedhje galopante me projektin e Unazës së Re.

Basha: Edi Rama është një hajdut, sepse do të vjedhë 40 milionë euro, duke shkelur ligjin, duke shkelur ligjin e prokurimeve, duke shkelur ligjin e legalizimeve, duke shkelur kushtetutën, duke shkelur ligjet për shpronësimet. Ky nuk është projekt për qytetin e Tiranës, ky është projekt për Vilën e Surrelit. Agai i Surrelit do që me një të rënë të lapsit, të marrë 40 milionë euro, pasi pazaret i ka bërë kokë për kokë, është ulur ai kokë më kokë për të bërë pazaret e tenderit, për të vjedhur 40 milionë euro. Ndërsa ne jemi këtu në krah të këtyre njerëzve për t’i mbështetur dhe për të denoncuar këtë megavjedhje.

"Duam shtëpitë tona, duam shtëpitë tona", ishin thirrjet në kor të banorëve.

Banorët e Astirit kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe pa ua legalizuar më parë, që do tu mundësonte atyre dëmshpërblimin.

Sot ishte dita e 20 e protestës së tyre.


/Ora News.tv/