Bllokohet procesi, në 13 vjet Dajçi ka realizuar vetëm 6 legalizime

Bllokohet procesi, në 13 vjet Dajçi ka realizuar vetëm 6

Në Njësinë Administrative Dajç procesi i legalizimeve është ndërprerë prej 9 vitesh. Agjensia e Kadastrës thotë se kemi të bëjmë me zonë të mbrojtur, por pretendimet hidhen poshtë nga Administratori i Dajçit i cili thekson se po pengohet zhvillimi i zonës.

Vetëm 6 legalizime në 13 vjet. Kjo është historia e një prej njësive administrative të qarkut Shkodër, asaj të Dajçit.

Proçesi atje vijon të jetë i bllokuar dhe dosjet e dorëzuara për legalizim të shtëpive nga banorët kanë mbetur në zyrat e Aluiznit, apo Kadastrës së sotme.

Gjovalin Darragjati: Janë diku 2200 kërkesa për legalizim.

Banorët kanë marrë një përgjigje nga Aluizni me pretendimin se kemi të bëjmë me zonë të mbrojtur, por kjo gjë kundërshtohet nga administratori.

Gjovalin Darragjati: Në bazë të ligjit për çdo lloj objekti që është i diskutueshëm nëse ka ndikim në mjedis apo në kolektorët kryesorë apo është afër zonave të mbrojtura ata i bëjnë një shkresë zyrtare drejtorisë së zonave të mbrojtura për të marrë një konfirmim nëse duhet legalizuar ky objekt apo jo.

Proçesi i legalizimeve për Dajçin është ndërprerë që në 2010-ën, plot 9 vite më parë dhe prej asaj kohe në zonë nuk ka qenë askush për të kryer verifikimeve të reja.

Gjovalin Darragjati: Pengon për transaksione të ndryshme, qoftë për kolaterale bankare, qoftë edhe për investime të ndryshme. Nuk ka një garanci bankare dhe kjo është një gjë shumë shqetësuese.

Dajçi njihet si një ndër njësitë administrative të Nënshkodrës më produktive sa i përket zhvillimit të bujqësisë, prandaj apeli i drejtuesve të njësisë është që legalizimet të kryhen sa më parë, për ti hapur rrugë të tjera investimeve nga ana e banorëve.

EMISIONET