Biznesi amerikan është ankuar për vonesat në rimbursimin e TVSH-së por edhe për informalitetin në ekonominë shqiptare.

Në një takim me administratën tatimore ata kërkuan marrjen e masave për zgjidhjen e këtyre problemeve me të cilat përballen prej vitesh.

Alketa Uruçi: Rimbursimi i TVSH-së apo informaliteti, janë çështje që janë ngritur dhe më parë nga ana e Dhomës Amerikane. Pavarësisht përmirësimit të punës nga ana e administratës tatimore është e qartë se biznesi kërkon maksimumin, kërkon gjithmonë përmirësim nga viti në vit.Çështja që lidhet me informalitetin ka lidhje me faktin që ka ende tatimpagues të cilët abuzojnë, nuk lëshojnë fatura tatimore për shitjet që kryejnë.

Nëndrejtori i Tatimeve, Xhavit Curri, ka pranuar vonesat në rimbursimin e TVSH-së ndërsa premtoi se të gjitha detyrimet do të shlyhen brenda pak javëve.

Xhavit Curri: Shpreh keqardhjen që në 2018 kemi krijuar një vonesë që shkon në rreth 6 muaj nga momenti i miratimit deri në momentin e dhënies së shumës për rimnbursim, kjo është kthyer në një shqetësim të madh për administratën tatimore.

Gjatë 2018, qeveria rimbursoi 14.5 mld lekë kundrejt biznesve.

Detyrimet e prapambetura janë një shqetësim që janë ngritur edhe nga institucionet ndërkombëtare si FMN dhe BB.

Ndërkaq dhe Ambasadorja gjermane një ditë më parë shprehu shqetësimin për ankesat e ardhura mbi klimën e të bërit biznes.



/Ora News.tv/