Ismail Kadare fiton gjyqin ndaj Nexhmie Hoxhës mbi pronësinë e dorëshkrimit origjinal të romanit” Dimri i vetmisë së madhe”. Gjyqi i nisur dy muaj më parë përfundon me kthimin e këtij dorëshkrimi tek i zoti. Seanca e fundit eshtë mbajtur në Gjykatën e shkallës së parë në Tiranë dhe gjykatësi ka parë që kërkesa e shkrimtarit të njohur ka qënë e bazuar në ligj, duke qenë se ai zoteron të drejtën e autorit për këtë vepër, ndërsa kërkesa e të paditurës mbi dhurimin e veprës si akt juridik në kohën kur është dhuruar nuk qëndron. Ndërsa avokatja e Kadares pas përfundimit të seancës u shpreh se ky ishte veprimi më i drejtë. Vendimi u dha në mungesë të palës mbrojtëse, pasi avokati i Nexhmie Hoxhës kishte paraqitur një kërkesë për të shtyrë seancën,sepse nuk ndodhej në Tiranë. Kërkesa e tij nuk është pranuar nga gjykatësi Arben Abdullaj dhe ka vazhduar seancën në mungesë të palës mbrojtëse.  

/Ora News.tv/