Bashkia e Tiranës dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nënshkruan sot në Londër marrëveshjen e financimit për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës, si dhe ndërtimin e një linje të re për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës së Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit.

Tirana është autoriteti i parë lokal që përzgjidhet nga BERZH-i, duke nënshkruar një marrëdhënie direkte bashkëpunimi.

Marrëveshja mundëson dyfishimin e sasisë së filtrimit të ujit, që furnizon qytetarët e Tiranës dhe njëkohësisht, shtrirjen e një rrjeti të ri edhe në zona të cilat, vitet e fundit kanë njohur një zhvillim tepër të madh, pa menduar më parë për urbanizimin.

Veliaj: Mezi pres që në këtë paketë të parë të bëjmë dy investime kryesore: Së pari, zgjerimin e kapacitetit të Bovillës, që është sistemi ynë filtrues. Do dyfishojmë sasinë e ujit që filtrohet për qytetin e Tiranës. Së dyti, ky financim na mundëson një linjë të re magjistrale, nga liqeni i Bovillës direkt në zonën e Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit. Një zonë e cila, kur njerëzit u transferuan aty, furnizohej me ujë pusesh e shumë prej banorëve, të nxitur nga çmimet e lira, morën vendime të shpejta, pa menduar që kjo zonë, tashmë me 80 mijë banorë, nuk mund të përballohet me ujë pusi, siç na tregoi vera e kaluar.

Kryebashkiaku Veliaj tha se marrëveshja u dedikohet qytetarëve të Tiranës, të cilët janë treguar korrekt me detyrimet ndaj bashkisë.

Veliaj: Kemi bërë shumë sakrifica për të ardhur në këtë ditë. Sot jemi qyteti numër një në Shqipëri për korrektesën ndaj pagesave të shtetit, sepse e kemi kuptuar që nëse nuk ndihmojmë në mëkëmbjen e shtetit tonë, të ujit, energjisë, hapësirës sonë publike, jemi ne vetë që e vuajmë të parët.

Drejtori i BERZH-it për Shqipërinë, Matteo Colangeli, vlerësoi faktin që kjo është hera e parë që banka financon një projekt bashkie, pa mbështetjen e buxhetit të shtetit, ndërsa theksoi se investimi do të rrisë kapacitetet dhe standardin e shërbimit të UKT-së.  

Ndërkaq, kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se pas formalizimit të financimit, Bashkia e Tiranës do të fillojë menjëherë punën për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës dhe ndërtimin e rrjetit të ri.


/Ora News.tv/