Ajo që do të ishte një festë sportive, kaloi në një përplasje fizike mes trajnerit dhe gjyqtarëve të ndeshjes.

Në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, mes kombëtares u-16 të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë ka ndodhur një incident, i cili ka kulmuar me sulmin fizik ndaj gjyqtarëve.

Sipas mediave kosovare, Muhamed Thaçi, trajner i Kosovës nuk e ka pritur aspak mirë një vendim të kryesorit, duke ofenduar dhe bërë gjeste antisportive ndaj gjyqtarëve.

Thaçi ka sulmuar, i ndihmuar edhe nga persona të tjerë, treshen e gjyqtarëve të takimit të përbërë nga Daut Mehmeti, Elldin Uglari dhe Atdhe Gocaj. Sipas informacioneve paraprake, Daut Mehmeti ka marrë plagë më të rënda, ku i është dashur trajtimi shëndetësor.

Kjo ka sjellë përjashtimin e tij nga pankina, ndërkohë që më pas ka përfunduar në prangat e policisë kosovare, ku pritet të sqaroj ngjarjen. Në ditët në vijim pritet të tjera masa administrative ndaj tij.

/Ora News.tv/