Brukseli riaktivizohet për negociatat. Kryetari i ri i Parlamentit Evropian, David Sasoli, do të vizitojë sot Maqedoninë e Veriut.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA para vizitës në Shkup, Sasoli thotë se bllokada e bisedimeve në BE sensibilizoi opinionin europian për rëndësinë e kësaj çështje.

Ai konsideron se vetoja franceze në samitin e fundit është vetëm një pengesë e vogël në rrugë që do të tejkalohet në muajt e ardhshëm.

 “Vendosa të vizitoj së pari Maqedoninë Veriore, e cila është jashtë BE-së, dhe më pas do të shkoj në Shqipëri. Kjo sepse besoj se këto dy vende kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t’u bërë anëtare të BE-së dhe mendoj se duhet ta pranojmë dhe t’i ndihmojmë ata në rrugën e suksesit. Ne nuk do të heqim dorë”, tha Sasoli për agjencinë e lajmeve MIA.

Ai tha se duhet të vlerësohet që Maqedonia Veriore dhe njerëzit e saj filluan reforma të rëndësishme, të bindur se kjo do t’i hapë rrugën e pranimit në BE.

Sasoli ka thënë se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm, ashtu si edhe samiti i BE në Kroaci, i cili merr përsipër presidencën e Unionit.

“Mendoj se duhet të arrijmë në një konsensus nga pala evropiane deri atëherë. Procedimet e Komisionit të ri do të jenë gjithashtu thelbësore. Ne besojmë se Komisioni i ri do të ndjekë rrugën e Juncker. Një numër i kërkesave janë dërguar në Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë dhe tani duhet të sinjalizohen se ato janë në rrugën e duhur “, tha ai.

/Ora News.tv/