Punonjësit e bashkisë Skrapar, bashki e cila është futur në kolaps si pasojë e bllokimit të buxhetit të këtij viti, i janë drejtuar me një letër kryeministrit Rama ku i kërkojnë ndërhyrje për të zgjidhur situatën.

Ata shprehen të indinjuar përballë kësaj situate, duke deklaruar se kanë  vite që punojnë në këtë bashki, pavarësisht forcave politike që e kanë drejtuar atë.

 "Kemi punuar e punojmë me përkushtim përballë çdo sfide duke zbatuar me prioritet edhe orientimet e Qeverisë lidhur me funksionimin e Vetëqeverisjes Vendore".

Punonjësit e bashkisë Skrapar deklarojnë se situata e krijuar po rëndon mikro-ekonominë lokale, si dhe vetë punonjësit e Bashkisë që prej 3 muajsh nuk paguhen.

"Kjo ka rënduar familjet tona, faturat të energjisë dhe ujësjellësit pa paguar, Kredi të Pashlyera, Fëmijë në Shkolla të cilët presin nga paga e prindërve të tyre, si dhe efekte të tjera që po e rëndojnë familjen skraparase".

Vetëm nga bllokimi i pagave për afro 400 punonjës ( përfshirë edhe shërbimet e deleguara ) në total preken afro 1.300 banorë të njësive familjare.

Punonjësit e Bashkisë Skrapar kërkojnë mirëkuptimin dhe reagimin e Ramës përballë kësaj situate që kërkon zgjidhje të shpejtë.

 Gjithashtu, shprehen ata,  "nëse mundësohet ne jemi të gatshëm për t’u takuar me ju mbi këtë problematikë".


Më poshtë letra e plotë

I nderuar z.Kryeministër!

Ne, punonjësit e Bashkisë Skrapar, sot nuk duam t’ju drejtohemi thjesht si Kryeministër (përtej ngarkesës suaj së përditshme), por do të donim që për pak çaste të merrnit rolin e një Kryetari Bashkie sot, ashtu si ju keni qënë dikur, edhe si ish-Kryetar Bashkie që mund të n’a ndihmonit se çfarë zgjidhje do të jepnit situatës të cilën po ju’a parashtojmë sa më poshtë:

Aktualisht, Këshilli i Bashkisë Skrapar pretendon se ka miratuar buxhetin e Vitit 2019. Bashkëlidhur po ju dërgojmë 5 vendime ( gjithësej 6 faqe ) që presupozohet se janë “Buxhet” të pashoqëruara me asnjë pasqyrë finaciare, për të treguar se ku do destinohen këto fonde për këto vendime. Gjithashtu po ju dërgojmë, Projekt-Vendimin e përgatitur nga vetë ky Këshill, ku verifikohet qartë se “nuk ka miratim të buxhetit nga ky këshill”.

Me këto vendime, Si do të veprohej nga ana e juaj ?

1. A do të kërkonit ju, që përballë kësaj situate të vepronit me 1/12 e Buxhetit Fakt të vitit të kaluar, për aq kohë sa nuk ka buxhet të miratuar me pasqyra financiare që i kërkon ligji ?

2. Teknikisht, nga ana e juaj këto vendime janë të zbatueshme apo jo ?

3. Si do t’u përgjigjeshit nevojave të komunitetit, kur ndërkohë Dega e Thesarit nuk lejon të punohet me 1/12 për të dhënë shërbimet bazë në komuniteti që aktualisht janë të bllokuara, si çerdhet, Konvikti i Shkollës së Mesme, Fëmijëve me Aftësi Ndryshe etj ?

4. Nëse do të “quheshin të mirëqëna” Vendimet e Këshillit, me çfarë pasqyrash financiare do t’ja përcillnit, Degës së Thesarit për ekzekutim ?

5. Nga e gjithë korrespodenca që do ndiqnit me institucionet, lidhur me këtë problematikë, si do të ndiheshit ju, përballë mosreagimeve të tyre ?

6. Bashkia jonë është e vërtetë që është një bashki e vogël, por shërbimet që ne ofrojmë janë të domosdoshme për shkak edhe të shtrirjes gjeografike; A do të t’i linit ju pa shërbime komunitare edhe përse janë në zonat më të largëta ?

7. Bashkia “juaj” është vlerësuar ndër 10 bashkitë që ofrojnë shërbime të mira në komunitet, A do të ndiheshit krenar për këtë ?

8. Në rolin e Kryeministrit u shprehët në një takim në Përmet se në Bashkinë Skrapar “paguhen punonjës 3 veta për një vend pune”; kjo është lehtësisht e verifikueshme. Po në rolin e Kryetarit të Bashkisë “suaj” si do të reagonit ndaj këtij qëndrimi të kryeministrit ?

9. Në rolin e “Kryetarit të bashkisë” si do të reagonit ju, ndaj paragjykimeve të një këshilli bashkiak, pa shkollë të cilët nuk kuptojnë çështë Ndihma Ekonomike e jo më të kuptojnë se ç’është buxheti i një bashkie.

10. Ne jemi të indinjuar përballë kësaj situate pasi kemi vite që punojmë në këtë bashki, pavarësisht forcave politike që e kanë drejtuar atë, kemi punuar e punojmë me përkushtim përballë çdo sfide duke zbatuar me prioritet edhe orientimet e Qeverisë lidhur me funksionimin e Vetëqeverisjes Vendore.

11. Situata e krijuar po rëndon mikro-ekonominë lokale, si dhe vetë ne, punonjësit e Bashkisë që prej 3 muajsh nuk po paguhemi, kjo ka rënduar familjet tona, faturat të energjisë dhe ujësjellësit pa paguar, Kredi të Pashlyera, Fëmijë në Shkolla të cilët presin nga paga e prindërve të tyre, si dhe efekte të tjera që po e rëndojnë familjen skraparase. Vetëm nga bllokimi i pagave për afro 400 punonjës ( përfshirë edhe shërbimet e deleguara ) në total preken afro 1.300 banorë të njësive familjare. Punonjësit e Bashkisë Skrapar do të kërkonin mirëkuptimin dhe reagimin tuaj përballë kësaj situate që kërkon zgjidhje të shpejtë. Gjithashtu, nëse mundësohet, ne jemi të gatshëm për t’u takuar me ju mbi këtë problematikë.

Ju Faleminderit!


/Ora News.tv/