Basha: Raporti i OSBE/ODIHR prova që prokuroria të nisë hetimet

Basha: Raporti i OSBE/ODIHR prova që prokuroria të nisë hetimet

Konkluzionet me më shumë se 20 vërejtje për zgjedhjet në Shqipëri të publikuara nga OSBE-ODIHR janë konsideruar si rrëzim i shtetit të Edi Ramës. Madje, Lulzim Basha, e konsideroi raportin të njëjtë si për ngjarjet kriminale. Në të kundërt Edi Rama shprehet se qëndrimet e opozitës janë furtunë në gotë bosh, ndërsa kërkoi nisjen e punës për përgatitjen e zgjedhjeve të vitit 2021.Raporti i OSBE-ODIHR vjen në një moment kur kriza potlike në vendin tonë është thelluar, ndërsa misioni vëzhgues ndërkombëtar shprehet i shqetësuar se rekomandimet e dhëna në vitin 2017 nuk u adresuan, sidomos ato për depolitizimin e administrimit të zgjedhjeve.  

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, thotë se raporti i OSBE-ODIHR është provë që prokuroria të nisë hetimet. Në një dalje për mediat nga selia blu, kryedemokrati u shpreh se raporti zgjedhor ngjan me një raport për një ngjarje kriminale. 

Lulzim Basha: Raporti i OSBE/ODIHR e ka rrëzuar farsën e 30 qershorit në çdo aspekt. Raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i pandershëm i dy dekadave të fundit.

Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik, kemi një raport i cili nuk flet thjesht për parregullsi teknike, apo shkelje, por për krime të mirëfillta dhe veprime të qëllimshme antiligjore të të gjithë stukturës elektorale në vend, dhe për një shkatërrim të qëllimshëm të të drejtës së popullit për të zgjedhur.

Praktikisht ky është një dokument, i cili më shumë se raport zgjedhor ngjan me një raport për një ngjarje kriminale. Ky është raport që realisht përmban prova dhe fakte për të filluar hetime kriminale ndaj një sërë personash dhe institucionesh.

Sipas tij, votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe në shkelje të dekreteve të Presidentit Meta. 30 qershori- tha Basha - vërtetoi se zgjedhje nuk mund të ketë me Ramën dhe KQZ.

Lulzim Basha:  Prandaj, 30 qershori vërtetoi edhe një herë atë që Partia Demorkatike ka thënë fuqishëm: Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama është armik i zgjedhjeve, i pluralizmit dhe demokracisë. Por 30 qershori tregoi edhe një të vërtetë tjetër: As me këtë KQZ nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira.

Basha: Duhet reformë e thellë zgjedhore dhe politike

Ky shtet privat dhe kriminal duhet shembur, për të rikthyer në vend shtetin e së drejtës, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik.

E kam thënë disa herë, që e keqja ka depërtuar aq thellë dhe ka shkatërruar aq shumë, sa Shqipëria ka nevojë, jo vetëm për të larguar Edi Ramën sa më parë, por për një ndryshim rrënjësor, i cili do të zhdukë pasojat e thella të këtij regjimi kriminal por edhe të problemeve të tjera me demokracinë, ekonominë dhe qeverisjen që janë krijuar këto 30 vjet.

Shqipëria ka nevojë që të ripërqafojë vlerat e pluralizmit, demokracisë, ligjit dhe lirisë.

Kjo kërkon një reformë të thellë zgjedhore dhe një reformë të thellë politike. Ky është prioriteti ynë i menjëhershëm.

Basha: Votimet e 30 qershorit, antikushtetuese dhe në shkelje të dekreteve të Presidentit

Siç konfirmon raporti, nuk ka ligj, nga Kushtetuta deri tek vetë rregulloret e KQZ-së që të ketë mbetur pa u shkelur. Nuk ka institucion zgjedhor që nga KQZ tek numëruesit dhe vëzhguesit që nuk ka shkelur ligjin.

Së pari, raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe u mbajtën në shkelje të dekreteve të Presidentit.

Së dyti raporti konfirmon se votimet e 30 qershorit nuk ishin zgjedhje dhe nuk patën asnjë lidhje me të drejtën e popullit për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit e pushtetit vendor. Ato ishin një farsë zgjedhore dhe tallje demonstrative me pluralizmin politik dhe dhe demokracinë përfaqësuese. 

Së treti, për të realizuar këtë farsë antikushtetuese dhe një partiake u shkelën ligjet dhe standardet zgjedhore. Në mënyrë të veçantë nga KQZ i cili portretizohet më shumë si organ partiak se sa si institucion i pavarur dhe i paanshëm kushtetues.

I vetmi aspekt normal që ka gjetur raporti është që socialistët nuk janë rrahur me njëri-tjetrin në qendrat e votimit bosh.

Pa hyrë në detaje dhe konstatime të qarta, dua të theksoj dy përfundimet kryesore të raportit:
1.Votimet  e 30 qershorit ishin antikushtetuese, të paligjshme dhe të pandershme
2.Votimet e 30 qershorit ishin një farsë moniste dhe e përfaqësimit politik dhe shkatërrim i demokracisë

EMISIONET