Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka propozuar qeverisë  një paketë të përbërë nga 5 pika për të ndalur futjen e Durrësit në një “dimër ekonomik”.

Basha: Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e Durrësit dhe zonave të tjera. Mijëra vende pune, biznesi i vogël dhe ekonomia prodhuese janë nën presion. Njësitë e hoteleri-turizmit përballen me rënie konsumi dhe i tremben reduktimit apo anulimit të prenotimeve.

Basha: Për të ndalur futjen e Durrësit në një "dimër ekonomik" me pasoja të rënda sociale që do të vinin nga reduktimi i numrit të të punësuarve, ulja e pagave të punonjësve dhe mbyllja e bizneseve, për të mundësuar një rigjenerim të ekonomisë prodhuese, shërbimeve dhe biznesit të vogël në zonat e dëmtuara, propozojmë këtë paketë të thjeshtë dhe realiste.

  • Anulimi i taksës së pasurisë dhe të gjitha taksat dhe tarifat vendore për periudhën e rindërtimit
  • Përjashtimi i taksës së të ardhurave për të gjitha subjektet që riinvestojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit
  • Pezullimi i kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e kërkesave
  • Përjashtimi i TVSH-së në të gjitha materialet, lëndët e para, dhe aktivet kapitale të përdorura për rikuperimin e dëmeve.
  • Pezullimi dhe anulimi i pagesave të faturave të energjisë dhe ujit gjatë kohës së katastrofës natyrore.

/Ora News.tv/